Disa pronarë tokash në Shtime protestojnë kundër ankandit të AKP-së në këtë komunë

Për shumë vjet, më shumë se 10 familje ishin pronarë trashëgimtarë të disa pronave në Komunën e Shtimes.

Por, tash, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vendosur që ato t’i hedhë në ankand publik për shitje, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Sipas banorëve, më 1982, zyrtarisht, është iniciuar një marrëveshje për t’ia shitur këtë pronë fabrikës së tubave, mirëpo marrëveshja ishte ndërprerë për shkak të moskompensimit të saj, e ndërkohë, dokumentet e pronës nuk po mund t’i gjejnë banorët.

Me protesta, këta banorë kanë kërkuar nga ky institucion anulimin e ankandit derisa të zgjidhen kontestet pronësore.

AKP-ja, fillimisht, ka hedhur në ankand rreth 3 ari, mirëpo fati i njëjtë i pret edhe 40 familje të tjera të cilat kanë pronat e tyre në këtë zonë.

Në një përgjigje me shkrim, zyrtarë të AKP-së kanë thënë se në ankand publik nxjerrin vetëm pronat shoqërore.

“Çdo palë pretenduese ka të drejtë t’i drejtohet në çdo kohë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ushtron juridiksion ekskluziv për të gjitha kontestet eventuale pronësore, të cilat kanë të bëjnë me ndërmarrjet shoqërore ose Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.