Që nga prilli i këtij viti, Dogana e Kosovës është duke i bërë analizat mbi cilësinë e derivateve të naftës me laborator të paakredituar sipas standardeve ndërkombëtare, përcjell Buletini Ekonomik.
Në raportin të fundit të Auditorit të Përgjithshëm mbi cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë, thuhet se kjo e ka vënë në dyshim kontrollën e mirëfilltë të derivateve të naftës në kufi.
Për me tepër që arsyet se pse ka mbetur pa u akredituar laboratori janë krejtësisht banale.
“Për një kohë laboratori ka pasur një pajisje të prishur (atë të distilimit) të cilën deri në muajin korrik 2019 nuk ka arritur ta riparoj apo ta zëvendësoj me një të re prandaj zyrtarët përgjegjës kanë planifikuar që pasi të riparohet/zëvendësohet pajisja të bëjnë kërkesë për ri-akreditim”, konstaton Auditori në raportin “Sistemi i Kontrollit dhe Monitorimit të Cilësisë së Derivateve të Naftës”.
Me kalimin e përgjegjësisë për kontroll të derivateve për cilësi tek Dogana, në prill të vitit 2017, laboratori u akreditua për testimin e disa parametrave të cilësisë nga Drejtoria e Akreditimit në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
Por në prill të vitit 2019, skadoi koha e akreditimit dhe laboratori, në bazë të rregullave duhej t’i nënshtrohej testimeve dhe kalibrimit. Kjo bëri që Dogana të kryejë analiza me laborator që nuk i plotësonte standardet ISO/IEC 17025 për kompetencën e testimeve dhe kalibrimit të laboratorëve.
“Laboratori ka testuar parametra siç është densiteti në 15ºC dhe që nga fundi i vitit 2018 edhe përmbajtjen e esterit metilik të acidit yndyror (EMAY) për të cilët nuk ka qenë i akredituar, për të verifikuar cilësinë e derivateve të importuara. Gjithsesi, në raport laboratori ka paraqitur faktin se këta parametra nuk ishin të akredituar”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se që nga momenti i skadimit të akreditimit të laboratorit në prill të vitit 2019, nuk është bërë kërkesë për të vazhduar akreditimin e laboratorit.
Kjo vonesë për tu ri-akredituar thuhet se ka ardhur edhe nga fakti se akreditimi sipas Ligjit në fuqi është një proces vullnetar dhe jo-obligativ, përpos në rastet kur për kryerjen e aktiviteteve specifike për vlerësimin e konformitetit është përcaktuar ndryshe në një ligj apo rregullore specifike.
Kjo mungesë e kalimit të laboratorit nëpër procesin e akreditimit lë hapësirë që gabimet apo mos përputhjet e metodave në pajisje të laboratorit të mos vërehen duke rrezikuar që rezultatet e testimeve të laboratorike të paraqesin vlera jo reale.
“Kjo e ul besueshmërinë e testimeve që kryhen nga Laboratori i Doganës dhe vë në pikëpyetje kompetencën e laboratorit për kryerjen e këtyre testimeve. Ndërsa, mos vendosja e logos së akreditimit gjatë periudhës kur laboratori ishte i akredituar, ka lënë hapësirë që të krijohen paqartësi tek palët nëse laboratori dhe parametrat e testuar nga ai, ishin apo jo të akredituara”, konstaton Auditori. /Buletini Ekonomik/