Në komunën e Leposaviqit, tender mund të fitojnë vetëm ato kompani që me vendndodhje nuk janë më larg se 40 kilometra nga territori i komunës. Ky është kriteri joligjor që ka vendosur komuna veriore në tenderin “Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të komunës së Leposaviqit”, përcjell Buletini Ekonomik.
Agjencia Kundër Korrupsionit, në një opinion të sajin lidhur me ketë tender, vlerëson se kjo paraqet shkelje të rëndë të Ligjit për Prokurimin Publik.
“Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra ka vërejtur se në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, në nenin III.2.4) Kapaciteti teknik dhe profesional, autoriteti kontraktues ka kërkuar që vendndodhja e operatorit ekonomik nuk duhet të jetë më larg se 40 km nga Leposaviqi. Kërkesë kjo për të cilën AKK konsideron se nuk është në pajtim me dispozitat e Ligjit në fuqi për prokurimin publik, më saktësisht me nenin 7”, thuhet në një opinion të AKK-së për këtë tender.
Sipas AKK-së, komuna e Leposaviqit në këtë rast ka bërë diskriminim territorial që është në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Prokurimin Publik. Në këtë nen thuhet se “Autoriteti Kontraktues do ti trajtoj operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente”.
“Me formulimin e kësaj kërkese Autoriteti Kontraktues diskriminon operatorët ekonomik që janë në largësi më tepër se 40 km dhe në të njëjtën kohë mund të krijoj kushte favorizuese për operatorët ekonomik që janë brenda perimetrit prej 40 km”, thuhet në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Ndryshe, vlera e kësaj kontrate, është parashikuar të jetë 30 mijë euro. /Buletini Ekonomik/