Edhe dy javë kohë: Mësojeni se çfarë duhet të keni në veturë gjatë dimrit

Afati ligjor për ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit në Kosovë është 15 nëntori e të cilat duhet të mbahen deri më 15 mars. Përveç ndërrimit të gomave, shoferët janë të detyruar me ligj që të jenë të pajisur edhe me zinxhirë, gjatë gjithë kohës së lartë cekur. Më poshtë mund të shihni në detaje se çfarë duhet të keni në veturë gjatë gjithë stinës së dimrit.

Për mosrespektim të afatit për ndërrim të gomave apo mungesës së zinxhirëve, shoferët gjobiten nga Policia e Kosovës.

Nga 15 nëntori, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor në Kosovë duhet patjetër t’i kenë pajisjet dimërore.

Reklama e sponzorizuar

Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

Po ashtu, Ligji thotë se gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore.

“Gjatë sezonit dimëror, nga 15 nëntori deri më 15 mars, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor duhet t’i kenë pajisjet dimërore.  Gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore”, thuhet në ligj.

Kushtet dimërore, sipas ligjit, nënkuptojnë rastet kur rruga është e mbuluar me borë ose kur në rrugë ka akull.

Shoferi, që drejton automjet pa pajisje dimërore në të ashtuquajturin sezon dimëror, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh, shkruan FaktePlus.

Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

“Gjatë kohës së dukshmërisë së zvogëluar duhet t’i kenë dy drita të bardha në pjesën e përparme të mjetit dhe dy drita të kuqe në pjesën e pasme të mjetit, si dhe një sinjal reflektues me ngjyrë portokalli në çdo anë.  Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 1. ose 2. të këtij neni.  Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëqind (100) deri në treqind (300) euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 5. të këtij neni. 7. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej tridhjetë (30) eurosh, personi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4. të këtij neni”.

Por, çfarë përfshijnë konkretisht pajisjet dimërore – Çfarë saktësisht duhet të kenë shoferët në automjetet e tyre?

Sipas Udhëzimit administrativ për pajisje dimërore, të nxjerrë më 24 mars 2017, nga Ministria e Infrastrukturës, pajisjet dimërore për automjetet e udhëtarëve dhe mjetet transportuese deri në 3.5 tonë janë pneumatikët e dimrit në të gjitha rrotat.

Në mungesë të pneumatikëve të dimrit, automjetet e sipërpërmendura duhet t’i kenë pneumatikët verorë me thellësi minimale të sipërfaqes shkelëse prej 4 milimetrash, me zinxhirët e dëborës që vendosen në rrota tërheqëse.

Ndërkaq, pajisjet dimërore për autobus dhe mjete transportuese janë zinxhirët ose pneumatikët e dimrit të montuar në rrotat tërheqëse.

Udhëzimi thekson se autobusët dhe mjetet e transportit mbi 3.5 tonë, që nuk mund të vendosin zinxhirët e dëborës në rrota tërheqëse duhet të kenë pneumatikët e dimrit në rrota tërheqëse.

Penumatikët e dimrit janë të shënuar me shenjë M + S, MS, M & S, ose ndonjë shenjë tjetër identifikuese nga prodhuesi i pneumatikëve. /FaktePlus/