Ligji për Paga pritet të fillojë së zbatuari gjatë muajit dhjetor, ndërkohë deri më tani lidhur me këtë ligj 17 sindikata janë ankuar tek Institucioni i Avokatit të Popullit. I nevojshëm për fillimin e zbatimit të ligjit po del të jetë konstituimi i institucioneve në vend para fundvitit, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ende pa filluar zbatimi i Ligjit për Paga 17 sindikata dhe grupe ankuesish nga sektori publik kanë dërguar ankesa tek Institucioni i Avokatit të Popullit. Ky ligj, i cili pritet të fillojë së zbatuari në dhjetor të këtij viti e i cili u miratua në fillimvit, sipas ankesave të sindikatave është duke ndikuar negativisht në interesat e tyre.
Ndërkohë, Ministria e Financave për “Zërin” ka konfirmuar që ky ligj do të fillojë të zbatohet në dhjetor të këtij viti. Sipas tyre, kostoja buxhetore është e mjaftueshme për mbulimin e këtyre pagave.
Ndërsa sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë, është e domosdoshme që buxheti i Kosovës për vitin 2020 të miratohet gjatë muajit nëntor, në mënyrë që t’i hapet rruga procedimit të pagave nga administrata.