Dikush tjetër, më pak ambicioz se Tom Siebel, do ta kishte pranuar humbjen me kohë. Në vitin 2006, sipërmarrësi, atëherë 53 vjeç, ia shiti firmën e tij të parë, Siebel Systems, e cila gjeneronte programe kompjuterike, Oracle, gjigantit të programeve softuerike, shkruan The Economist.
Ky veprim e shndërroi atë në një miliarder, por ama në një miliarder të shqetësuar. Në vitin 2009, vetëm disa muaj pasi z. Siebel kishte krijuar një kompani të re, ai u shkel nga një elefant gjatë një ekspedite në Tanzani. Pas një kohë të gjatë në spital dhe pas shumë operacionesh që kaloi, në momentin që ai u shërua dhe ishte në gjendje t’i kthehej punës sërish, kompania e tij e re ishte në prag të falimentimit. Por i patrembur për rreziqet që po merrte përsipër, ai vendosi që të investonte gjithçka në të dhe ta ngrinte atë sërish në këmbë. Por, bindja, guximi, këmbëngulja, lodhja e z. Siebel u shpërblyen në mënyrën më të mirë.
Kompania, e cila tani mban emrin, C3, gjeneroi vitin e kaluar 100 milionë dollarë amerikanë në kapitalin e sipërmarrjes dhe e vlerësoi atë në 2.1 miliardë dollarë amerikanë. Kjo ishte ndër sfidat e para sa i takon analizës së të dhënave, e cila konverton të dhënat e papërpunuara në parashikime të dobishme, me anë të ndihmës së algoritmeve. Shumë investitorë mendojnë se mund të gjenerojnë të ardhura të larta nga investimi në këto sipërmarrje softuerike, të cilat po përhapen që nga laboratorët e kompjuterëve të Gjigantëve të Teknologjisë deri te korporatat e ndryshme të kudondodhura. Sipas CB Insights, një firmë kërkimore, 35 ndërmarrje që merren me analizën e të dhënave, janë pjesë e një liste startup-esh me vlerë 1 miliard dollarë (ose edhe mbi 1 miliard dollarë amerikanë).
Të gjithë të vlerësuar së bashku, këta njëbrirësh, disa prej të cilëve e konsiderojnë veten si promotorë të Inteligjencës Artificiale, arrijnë në një vlerë prej 73 miliardë dollarësh amerikanë. Sipas PitchBook, një firmë tjetër kërkimore, vetëm gjashtë prej më të mëdhenjve kanë një vlerë 45 miliardë dollarë amerikanë.
Sipas IDC-së, shpenzimet mbi të dhënat analitike dhe programet sofuerike do të arrijnë në 67 miliardë dollarë amerikanë, gjatë këtij viti. Kjo do t’i çlirojë përfundimisht këto biznese nga hija e ekonomistit që fitoi në 1987 çmimin Nobel, Robert Solow, sipas të cilit investimet në teknologjinë e informacionit luajnë një rol jo shumë të rëndësishëm në rritjen e efikasitetit të kompanive.
Ashtu si elektriciteti mundësoi linjat e prodhimit në shekullin e 19-të, duke qenë se makinat nuk duhej më të grupoheshin rreth një motori qendror me avull, kompanitë analitike të të dhënave premtojnë të krijojnë “linjat e prodhimit të ekonomisë dixhitale”, duke shpërndarë të dhënat analitike aty ku janë të nevojshme. Sipas George Gilbert, një analisti veteran në biznesin e Teknologjisë së Informacionit, këto “linja prodhimi të ekonomisë dixhitale”, do t’i ndihmojnë të gjitha llojet e firmave të krijojnë të njëjtat efekte të rrjetit (si ato të gjigantëve të teknologjisë), kështu, sa më mirë që ato do t’u shërbejnë klientëve të tyre, aq më shumë të dhëna do të grumbullojnë, të cilat ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve të tyre e kështu me radhë.
Konsulentët në kompaninë Gartner kanë llogaritur së fundmi se “rritja e Inteligjencës Artificiale” do të gjenerojë rreth 2.9 trilionë dollarë amerikanë të “vlerës së biznesit” dhe do të kursejë edhe 6.2 miliardë orë pune të bëra nga njerëzit në të gjithë botën. Një studim tjetër, i kryer gjatë vitit të kaluar nga McKinsey, vlerësoi se analizimi i të dhënave të Inteligjencës Artificiale do të rriste me 13 trilionë dollarë amerikanë, ose me 16% në vit, PBB-në globale deri në vitin 2030.
Shitjet me pakicë dhe logjistika do të gjenerojnë të ardhurat më të larta. Por duhet ende punë që analizimi i të dhënave të arrijë në pritshmëritë e mësipërme. Edhe pse shumica e firmave krenohen me faktin se kanë formuar “platforma të Inteligjencës Artificiale”, vetëm një numër i vogël i tyre plotësojnë përkufizimin e zakonshëm të atij termi, zakonisht i rezervuar për gjëra si sistemi operativ i Apple dhe i smartphone të Google, të cilët lejojnë zhvilluesit të ndërtojnë lehtësisht aplikacione të suksesshme.
Një platformë e Inteligjencës Artificiale do të përkthente automatikisht të dhënat e papërpunuara në një format algoritmi dhe do të ofronte një set mjetesh për krijimin e programeve softuerike, në mënyrë që edhe njerëzit që nuk janë profesionistë sa i takon kodimit, të mund t’i përdorin ato. Shumë kompani, përfshirë këtu edhe Palantir, njëbrirëshin më të madh në grupin e kompanive analitike të të dhënave, shesin shërbime të personalizuara të nivelit të lartë, ekuivalente me ndërtimin nga e para të një sistemi operativ për çdo klient.
Gjigantët kompjuterikë të cloud, si Amazon Web Services, Microsoft Azure dhe Google Cloud ofrojnë produkte të standardizuara për klientët e korporatave të tyre, por, siç shpjegon Jim Hare nga Gartner, këta janë dukshëm më pak të sofistikuar dhe i bllokojnë përdoruesit në rrjetet e tyre.
Sipërmarrësi Siebel
Kompania C3.ai, është themeluar për të ndihmuar në lehtësimin e shërbimeve të administrimit të rrjeteve elektrike, një problem kompleks që përfshin mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga burime të shumta. Pasi e kapërceu momentin e saj të vështirë, në prag të falimentimit, progresi i mëtejshëm në machine learning, sensorët dhe lidhjen e të dhënave me njëra-tjetrën, i dhanë asaj një imazh tjetër, thuajse krejtësisht të ri dhe që i krijoi asaj mundësinë që të ripakentonte produktet për një gamë të gjerë industrish.
Qasja e kompanisë C3, e cila sigurisht u krijua nga përvoja e z. Siebel, ishte që të mos krijonte probleme sa i takon analizimit të të dhënave dhe klientëve të korporatave, por sigurisht pa sakrifikuar sofistikimin. 3M, një konglomerat amerikan, përdor softuerët e C3 për të përzgjedhur fatura të cilat mund të përmbajnë gabime. Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara i përdorin softuerët e C3, për të parë se cilat pjesë të një avioni mund të jenë defektoze dhe të krijojnë probleme. Softuerët e C3 po e ndihmojnë Baker Hughes të zhvillojë shërbime analitike për industrinë e naftës dhe gazit (General Electric, kompania mëmë e firmës së shërbimeve të naftës, është përpjekur të krijojë një platformë analitike të vetën, të quajtur Predix).
Rivali kryesor i C3 në ndërtimin e një platforme të mirëfilltë të Inteligjencës Artificiale nuk është asnjë kompani që bën pjesë në grupin e Gjigantëve të Teknologjisë, apo as në grupin e njëbrirëshave që merren me analizimin e të dhënave. Ajo është kompania e quajtur Databricks, e themeluar në vitin 2013 nga mjeshtrit e kompjuterëve që zhvilluan edhe programin Apache Spark. Databricks e zgjeroi programin Spark për t’u marrë me analizimin e llojeve të ndryshme të të dhënave. Kjo kompani ua shet shërbimet e saj kryesisht startup-eve si Hotels.com, një agjenci udhëtimesh, dhe kompanive mediatike si Viacom. Sipas saj, gjatë këtij viti, ajo do të gjenerojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë të ardhura dhe se u vlerësua me 2.8 miliardë dollarë amerikanë në momentin kur kapitali i saj shënoi rritje në shkurt të këtij viti.
Qasjet e dy kompanive janë të ndryshme nga njëra-tjetra, duke qenë se edhe rrënjët, gjenezat e tyre janë të ndryshme, dhe është e paqartë se cila mund të kapërcejë tjetrën. Momentalisht ato janë thuajse në të njëjtin nivel me njëra-tjetrën. Në një periudhë afatshkurtër, duke qenë se tregu është mjaft i madh, mund të ketë vend për të dyja, madje edhe për ndonjë kompani tjetër.
Por në një periudhë afatgjatë, patjetër që do të diferencohet, ose ndonjëra prej këtyre të dyjave ose ndonjë kompani tjetër, për shembull rivalë më të vegjël të tillë si Dataiku nga Nju Jorku ose Domino Data Lab në San Francisko, të cilat janë duke krijuar me përpikëri platformat e Inteligjencës Artificiale. Edhe njëbrirëshit e tjerë të kësaj kategorie nuk do të heqin dorë lehtësisht dhe t’ua lënë vendin e tyre dikujt tjetër. Ndërsa titanët ekzistues të teknologjisë si Amazon, Google dhe Microsoft do të dëshirojnë të dominojnë të gjitha llojet e softuerëve, përfshirë analitikën e të dhënave të përparuara.