Gjasat që liberalizimi i vizave të jetë dhuratë për Kosovën në prag të Krishtlindjeve janë inekzistente. Përveç Gjermanisë, duket se askush tjetër prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk mendon se kosovarëve duhet t’iu hiqet regjimi i vizave brenda një kohe të shkurtër, derisa Republika e Kosovës ta përmbush kushtin për sundimin e ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Një gjë të tillë për Gazetën Express e kanë konfirmuar ekskluzivisht burime diplomatike në Francë.
“Për heqjen e regjimit të liberalizimit të vizave kërkohet përmbushja e disa kushteve, përfshirë këtu sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ky burim diplomatik.
Sipas këtij burimi, përveç Francës, janë edhe disa shtete të tjera anëtare që vlerësojnë se Kosova nuk ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe potencon se Parisi zyrtar do të vëzhgojë me vëmendje avancimin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Franca beson, së bashku me disa shtete anëtare, se Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe me vëmendje do të përcjellë zhvillimin në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” ka shtuar tutje për Express.
Tutje ky zyrtar i lartë ka thënë se puna e bërë deri tani nga institucionet e Kosovës nuk është e mjaftueshme për të prodhuar rezultate të prekshme, dhe se është e nevojshme që të vazhdohet me zbatim të reformave dh zbatim të qëndrueshëm të tyre.
“Zhvillimet pozitive në këtë fushë, siç është miratimi i disa ligjeve për sundim të ligjit në Parlamentin e Kosovës dhe reformimi në gjyqësor në veçanti, janë të pamjaftueshme për të prodhuar rezultate të prekshme. Zbatimi i vazhdueshëm i reformave është jetike në mënyrë që ligjet të mund të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme”, ka thënë ky burim diplomatik.
E tema e liberalizimit të vizave për kosovarët do të kthehet për diskutim në Këshillin e BE-së, vetëm atëherë kur të konstatohet se janë përmbushur të gjitha kushtet.
“Kjo temë do të shqyrtohet nga Këshilli i BE-së, dhe do të kthehet për diskutim kur të përmbushen kushtet”, ka përfunduar ky burim diplomatik.
Se Republika e Kosovës nuk i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave e kishte thënë në muajin maj edhe ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Jean-Yves Le Drian, në pyetjen që ia kishte bërë senatorja Helen Conway-Mouyret.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve brenda shteteve anëtare, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj kishte vazhduar të uronte kosovarët për liberalizim të vizave, duke qenë se kishte marrë një “PO” nga ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer.
Ndërkohë se liberalizimi i vizave mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje për Kosovën, e kishte thënë deputeti Peter Beyer nga CDU-ja e kancelares Angela Merkel, gjatë vizitës së fundit në Kosovë.
Megjithatë një gjë e tillë ka shumë pak gjasa që të ndodhë brenda këtij viti, marrë parasysh edhe faktin se Kosova aktualisht gjendet në një situatë tranzicioni, dhe mbetet të shihet se çfarë do të bëjë qeveria e re, për kushtet e shteteve anëtare për liberalizim të vizave, siç është sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.