Haziri: S’do të lejojmë që çkapja e shtetit të zëvendësohet me kapje të re të tij


Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK-ja do të luftojë për çkapjen e shtetit dhe nuk do të lejojë që kjo të zëvendësohet me kapje të re të shtetit.

Në një postim në Facebook, Haziri thotë se partia të cilës i përket ai ka qenë gardiane e demokracisë.

“LDK ka qenë gjithmonë gardiane e kësaj demokracie, sado fragjile që është. Të jeni të sigurt se çkapja e shtetit, që është bërë si politike populiste në Kosovë, nuk ka me u leju me u zëvendësu me kapjen e re të shtetit”, deklaroi Haziri.

Reklama e sponzorizuar

Ai thotë se sfida kryesore e qeverisë në ardhje është që të arrihet uniteti politik në Kuvendin e Republikës për temat e mëdha e me interes nacional.

“Nuk kemi komoditet që 11 vjet pas pavarësisë, të jetojmë pa stabilitet”, përfundoi ai.

LVV dhe LDK janë duke zhvilluar takime në nivel ekspertësh për të harmonizuar qëndrimet për programin qeverisës. Deri më tani janë dhënë shenja për një koalicion të mundshëm, por ende pa ndonjë konkretizim.