Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2019 Komuna e Prishtinës ka shpenzuar vetëm 20% të buxhetit për shpenzime kapitale, në kuadër të së cilës bëjnë pjesë edhe shpenzimet për projektet infrastrukturore, shkruan gazeta “Zëri”.
Buxheti i ndarë për projektet kapitale e ku bëjnë pjesë edhe ato infrastrukturore në Komunën e Prishtinës, sipas zyrtarëve nga Iniciativa për Progres (INPO), po del të jetë relativisht i kënaqshëm krahasuar me komunat e tjera të Kosovës.
Sipas Qëndrim Arifit nga kjo organizatë, Prishtina gëzon buxhet shtesë si pasojë e Ligjit për Kryeqytetin.
Tutje ai deklaroi se buxheti nuk paraqet problem për realizimin e projekteve infrastrukturore.
“Komuna e Prishtinës ka buxhet relativisht të kënaqshëm, sidomos nëse e krahasojmë me komunat tjera të Republikës së Kosovës. Gjithashtu ajo gëzon edhe buxhet shtesë si pasojë e Ligjit për Kryeqytetin. Një shumë jashtëzakonisht e lartë e buxhetit të Komunës së Prishtinës ndahet për investime kapitale, ku bëjnë pjesë edhe projektet infrastrukturore”, ka thënë ai për “Zërin”.
Planifikimi dhe menaxhimi i projekteve në mënyrë joprofesionale, sipas Arifit është arsyeja e mosfillimit dhe e ngecjes së projekteve në Komunë.
“Problemi i mosfillimit dhe i ngecjes së projekteve qëndron në planifikim dhe në menaxhim, të cilat nuk bëhen në mënyrë profesionale. Sa i përket planifikimi Komuna bën një planifikim të dobët, sepse gjatë projekteve të caktuara infrastrukturore llogarit vetëm koston e punëve, duke anashkaluar koston e shpronësimeve. Pra fillohen punët pa u definuar problemet pronësore dhe si pasojë e kësaj kemi ngecje, sepse nuk është përgjegjësi e operatorëve ekonomikë t’i zgjidhin këto probleme”, ka thënë ai.
Ndërsa duke folur për menaxhimin e projekteve, hulumtuesi i INPO-s ka thënë se Komuna nuk e mbikëqyr zbatimin e projekteve dhe kësisoj operatorët ekonomikë i tejkalojnë afatet kohore.
“Menaxhimi i dobët konsiston në atë që Komuna thuajse fare nuk mbikëqyr zbatimin e projekteve të caktuara dhe si pasojë e kësaj operatorët ekonomikë të papërgjegjshëm tejkalojnë afatet kohore lidhur me projektin e caktuar, sepse nga Komuna mungojnë masat ndaj tyre ashtu siç parashihen me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me rregulloret përcjellëse. Pra problematika është e mbështetur në dy faktorë kyçë: te keqplanifikimi dhe në keqmenaxhim”, ka thënë Qëndrim Arifi, nga INPO-ja.