Ja se çfarë është gjetur në zarfet me vota të ardhura nga Serbia

Hetimet për zarfet me vota të ardhura nga Serbia, ku pas hapjes së tyre u helmuan 29 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ende po vazhdojnë.

Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se rezultatet e deritanishme, jo zyrtare të pranuara gojarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, tregojnë se janë gjetur dy lloje të elementeve të mundshme.

“Elementi që vet letra e përmban e që nuk ka rrezik dhe një lloj elementi tjetër që gjendet në sprej për pastrim të zyrave ose për spërkatjet e pemëve e që nuk ka rrezik për jetën”, kanë thënë burimet brenda policisë të bazuara në deklaratat gojore te IKShP-së.

Reklama e sponzorizuar

Por, sipas policisë, për më shumë do të tregojnë analizat të cilat do të bëhen në laborator përkatës.

Janë gjithsejtë 4 500 zarfe me vota të cilat kanë arritur në njërën nga degët e Postës në Prishtinë nga dy zyrtarë serb e për fatin e të cilave nuk ishte marr asnjë vendim nga anëtaret e KQZ-së.

Pas hetimeve do të vendoset nëse të njëjtat do të pranohen si të rregullta apo do të asgjësohen.