Ashpërson tonet ministrja e Drejtësisë: Tani e tutje politikanët do të kenë frikë nga Prokuroria

Prioritet i qeverisë Kurti është padia e Kosovës ndaj Serbisë për krime lufte.

Në mandatin tim nuk do të ketë prokuror që do t’i frikësohet politikanëve por politikanë që i frikësohet prokurorisë.

Kështu ka thënë Albulena Haxhiu, e cila ka marrë detyrën e ministres së Drejtësisë.

Reklama e sponzorizuar

Ajo  flet edhe për veteranët e rrejshëm dhe për rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, për të cilin thotë se do të zbardhet së shpejti.

Haxhiu thotë se ka manipulime të mëdha me numrin e veteranëve të luftës së UÇK-së, dhe sipas saj, aty përfshihen persona që kanë qenë aktiv në jetën politike, e kjo nuk do të ketë ndikim në zbardhje të rastit.

Derisa flet për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, Haxhiu thotë se është lajm i mirë që me këtë po merret Prokuroria Speciale dhe jo ajo Themelore e Prizrenit.

Rastin e vdekjes së tij e quan skandaloz, derisa shton se beson fuqishëm që i njëjti do të zbardhet sa më parë.

Derisa Kosova i ka vetëm tre prokurorë të Prokurorisë Speciale, Haxhiu thotë se është e pamundur që me këtë numër të hetohen krimet e luftës.

Andaj, ajo deklaron se do të rriten kapacitet.

Ndër të tjera, Haxhiu që mban postin e ministres së Drejtësisë në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti thotë për KP, se prioritet e kanë padinë ndaj Serbisë për krimet e luftës.

Për këtë, thotë se do të konsultohen me ekspertë vendor e ndërkombëtarë. Gjithashtu, ajo flet edhe për gjykimin në mungesë, ku thotë se tash institucionet e Kosovës e kanë të drejtën të nisin hetimet dhe nëse i dyshuari nuk vjen për të marrë pjesë në seanca, e kanë të drejtën të shpallin atë, person të gjykuar në mungesë.

Albulena Haxhiu thotë se do të kërkojnë që me urgjencë të trajtohet ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, që të votohet në Kuvendin e Kosovës pas vlerësimit të Komisionit të Venecias.

Ndërkohë të premte  kanë finalizuar shkresën për të dërguar për vlerësim te Komisioni i Venecias.

Albulena Haxhiu është zgjedhur ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti, me datën 3 shkurt të këtij viti.