Përkundër faktit se përfitojnë shuma marramendëse vetëm për një natë, këngëtarët kosovarë nuk po ia dalin që të paktën tatimin ndaj shtetit ta paguajnë.
Prej tyre, vetëm 478 këngëtarë i kanë paguar tatim shtetit të Kosovës deri më tani, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, vlera e grumbulluar e parave nga ta te shteti është në norma minimale, pasi ATK-ja prej tyre ka grumbulluar vetëm 221 mijë e 504 euro, vetëm nga janari deri në gushtin e këtij viti.
Ndërsa, gjatë vitit 2018, shteti kishte arkëtuar nga këngëtarët të hyra në arkën e tij, në vlerën e 704 mijë e 136 eurove.
“Për vitin 2018 kemi pas të hyra nga kategoria e këngëtarëve/ muzicienteve 704,136 euro, ndërsa, për periudhën Janar-Gusht 2019 kjo kategori e tatimpaguesve kanë deklaruar dhe paguar 221,504 euro. Numri i përgjithshëm i tatimpaguesve të kësaj kategorie për këto dy vite është rreth 478. Duhet të kemi parasysh se në këtë numër hynë jo vetëm këngëtarët-por edhe tatimpagues e tjerë të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjet e Zëdhënëses së Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, drejtuar Buletinit Ekonomik.
Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, të gjithë personat fizik dhe juridik, me theks të veçantë edhe profesionistët e kulturës, siç janë këngëtarët, janë të obliguar që të hyrat e tyre t’i ndajnë me shtetin, e në rast të mospagimit, sipas ATK-së, ajo i ndëshkon sipas ligjit, bazuar në të ardhurat e tyre që realizojnë. Ndëshkimet ndaj tatimpaguesve që nuk paguajnë tatimin e krijuar në ATK, në këtë rast ndaj këngëtarëve, sipas Administratës Tatimore të Kosovës variojnë nga bllokimi i llogarive bankare, ndalesat në kufi, si dhe konfiskimi i pasurisë së tyre.
Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime nga ATK-ja edhe rreth numrit të këngëtarëve borxhlinj ndaj ATK-së dhe se sa është shuma e borxhit total të këngëtarëve ndaj tyre, mirëpo ata nuk kanë ofruar ndonjë përgjigje rreth kësaj çështjeje. /Buletini Ekonomik/ (Mirjeta Shabani)