Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili njëherit është edhe pjesë e ekipit negociues për arritjen e një koalicioni me LDK’në, ka treguar në vija të trasha se si potencialisht mund të ndahet pushteti në mes partisë së tij dhe asaj që udhëhiqet nga Isa Mustafa, në rast të arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje, shkruan Gazeta Express.
Konjufca në një intervistë për RTK 3, ka thënë se rezultati zgjedhor tregon që me qeverinë do të udhëheq Lëvizja Vetëvendosje.
Sa i përket numrit të ministrive, Konjufca ka thënë se do të jetë maksimalisht 12, dhe do të ndahen në mënyrë proporcionale mes dy partive, përjashtuar dy që duhet t’iu jepen pakicave, raporton Gazeta Express.
Konjufca ka thënë se fakti që kanë dalë të parët në zgjedhje, nënkupton që VV’ja duhet të ketë udhëheqësin e qeverisë.
“ Në përputhje me këtë, është shumë e pritshme që LDK ta ketë udhëheqjen e parlamentit, si dhe me një ndarje proporcionale të ministrive, të cilat me gjasë të madhe do të jenë 12 ministri, të cilat ju e dini që do t’iu takojnë pakicave. Ndërsa 10 të tjera do të rregullohen mes LDK’së dhe Vetëvendosjes”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka lënë të kuptojë që partia e tij do të kërkojë ministritë që ndërlidhen me fushat e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Ndërkohe i pyetur se çfarë do të jetë roli i tij në qeverinë e re, Konjufca ka thënë se përofrmon më mirë si deputet, megjithatë nuk e përjashton edhe angazhimin në qeveri.
Ai ka potencuar se 9 ministri ekzistuese do të bashkohen në ministri të tjera, të cilave edhe do t’iu ndryshohet emri.
Në këtë intervistë anëtari i VV’së ka folur edhe për deklarimet e njëpasnjëshme të nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Hazirit.
Sipas tij qëndrimet e tilla të Hazirit, tregojnë zhgënjimin e tij për rezultatin që LDK’ja ka marrë në zgjedhje.
Konjufca thotë se mbase Haziri ka qenë i bindur që Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë fitimtare në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Një gjë e tillë është normale, të gjitha partitë kanë pasur pritje që do të fitojnë. Edhe PDK’ja ka pritur që të fitojë, por VV’ja ka fituar, dhe duhet të sillemi konform këtij realiteti, duhet të shkojmë përpara me ndërtimin e qeverisë”, ka shtuar tutje ish-shefi i grupit parlamentar të VV’së.
Ai ka folur edhe për takimin e të mërkurës, ku ka thënë se do të diskutohet për cështje politike, sic është dialogu me Serbinë./GazetaExpress/