Kryesia e LDK-së vendos – Asnjë takim me Vetëvendosjen pa u certifikuar rezultati i zgjedhjeve

Kryesia e LDK-së ka vendosur që të mos zhvillojë asnjë takim me Vetëvendosjen për koalicion qeverisës, derisa nuk certifikohet rezultati i zgjedhjeve.

Zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa, ka thënë se ky është vendim i kryesisë, raporton KTV.

Ky qëndrim i LDK-së, sipas Mustafës ka ardhur pasi akoma nuk dihet rezultati përfundimtar se kush është fituesi i zgjedhjeve.

Reklama e sponzorizuar

Kujtojmë gjithashtu se edhe mbrëmë kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmani, në Rubikon të KTV-së tha se marrëveshjen me Vetëvendosjen mund ta finalizojnë në muajin nëntor, por u duhet kohë për diskutime derisa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

“Është mirë që të synojmë të arrijmë marrëveshje në kohë rekord. Kur të certifikohen rezultatet të mos na marrë më shumë se dy-tri javë. Brenda nëntorit, nëse gjatë tetorit kemi rezultat final atëherë brenda nëntorit do të duhej të finalizojmë diskutimet. Kemi vullnet që sa më shpejtë të përfundojmë diskutimet, por pasi të dihen rezultatet. Nëse edhe VV-ja ka vullnet, s’shoh se mund të ketë probleme të mëdha”, ka thënë ajo.