Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në qeverisjen e ardhëshme do të bëjnë procesin e vetting-ut për sektorin e sigurisë dhe të drejtësisë.
Kurti në emisionin “New Bugajski Hour” në RTK ka thënë se këtë do ta bëjnë në pozitat udhëheqëse.
“Ne do të bëjmë një proces vetting-u për sektorin e sigurisë dhe atij të drejtësisë. Pra jo vetëm për prokurorë dhe gjyqtarë, por edhe për inteligjencën dhe policinë. Por unë mendoj që s’duhet ta bëjmë këtë për të gjitha pozitat, vetë, për pozitat udhëheqëse, pra për zyrtarë të lartë”, ka theksuar ai, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, në Kosovë duhet të ketë prokuror që është më i famshëm se kryeministri.
“Kemi nevojë për prokurorë që të bëhen shumë të famshëm në Kosovë. Është me rëndësi që të kemi prokuror në Kosovë, që është më i famshëm se kryeministri. Kështu konsideroj që kam kryer detyrën time si kryeministër, kur ta kem një prokuror më të famshëm se unë”, ka thënë ai.
Sipas tij duhet të ndryshohet edhe kodi i procedurës që t’u mundësohet prokurorëve të arrijnë pozita që dëshirojnë.
“Ne gjithashtu do të ndryshojmë kodin e procedurës, sepse nëse një prokuror dëshiron të arrijë një pozitë të tillë, duhet të kalojë 10 vite brenda sistemit. Çka nëse kemi një prokuror kosovar që punon në Evropën Perendimore apo në SHBA, si dhe dëshiron të kthehet të na ndihmojë? A duhet ai të kalojë 10 vite në sistemin tonë? Natyrisht që jo. Pra duhet t’u mundësojmë atyre të ngjiten shumë më shpejt në pozitat e përshtatshme brenda sistemit tonë”, ka thënë ai.
Në këtë emision ai ka folur edhe për reformat në fushën e arsimit, shëndetësisë, dhe ekonomisë.