Ky është shkaktari që po ua shkurton jetën kosovarëve

Ajri i ndotur në Prishtinë

Me uljen e temperaturave nga muajt e ardhshëm paralajmërohet rritja e ndotjes së ajrit në Kosovë. Njohës të çështjeve të ambientit kërkojnë të merren masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit, derisa njohës të shëndetësisë thonë se ajri i ndotur në përmasa ekzistuese në vendin tonë është bërë ndër dëmtuesit evidentë dhe më të mëdhenj të shëndetit të qytetarëve, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Me uljen e temperaturave gjatë muajit nëntor pritet të rritet ndotja e ajrit në Kosovë. Masat e marra deri tani nga institucionet e vendit nuk do të parandalojnë as këtë vit ndotjen e lartë, në përmasa shqetësuese, të ajrit, e cila thuhet se do të fillojë me uljen e temperaturave gjatë muajve të ardhshëm.

Rritja e lartë e ndotjes së ajrit po vlerësohet të jetë shumë e dëmshme për qytetarët, të cilët si pasojë e kësaj ndotjeje rrezikohen nga sëmundje të ndryshme, që mund të jenë edhe fatale për ta.

Reklama e sponzorizuar

Era Pireva, zyrtare për informim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se ndotja e ajrit gjithmonë e më shumë po bëhet problematike.

Sipas këtij instituti, ajri i ndotur mund të lërë pasoja të ndjeshme te qytetarët, pasi që ai mund të shkaktojë sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, sëmundjen e kancerit e po ashtu edhe vdekje.

“Ndotja e ajrit në qytet po bëhet gjithnjë e më shumë problem i madh ekonomik dhe shëndetësor. Kjo në Prishtinë bëhet edhe më e shprehur me përdorimin e thëngjillit si burim energjie. Pasojat e ajërndotjes mund të jenë: Zvogëlim i të parit – konjunktivit, rritje e sëmundjeve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, frymëmarrje e rëndë dhe kollë, dëmtim i funksioneve pulmonare, sëmundje bronkopulmonare kronike, kriza të astmës – alergji, kancer, shkurtimi i jetës dhe vdekje”, është thënë për gazetën.