Për zhvillimin e një Ueb platforme online, Ministria e Inovacionit i ka dhënë grant në vlerë prej 50 mijë euro Klubit të Prodhuesve të Kosovës (KPK), i njohur si asociacion i bizneseve, por që mbronë interesat e ngushta të një grupi të caktuar të kompanive.
Në mesin e këtyre bizneseve që figurojnë si anëtarë të Klubit, është edhe kompania Devolli Group, me pronar Blerim Devollin.
Kjo kompani i prinë listës së themeluesve të këtij asociacioni, shkruan Buletini Ekonomik.
Klubi, bazuar në anëtarësinë e listuar në ueb faqe, përfaqëson interesat e 18 kompanive të mëdha në Kosovë, përfshirë këtu edhe kompanitë “Fluidi”, “Trepharm”, “Rugove” etj.
Buletini Ekonomik ka gjetur se ky asociacion, grantin prej 50 mijë euro nga taksapaguesit kosovarë, e përfitoi në emër të promovimit të prodhimeve vendore.
“Qëllimi kryesor është zhvillimi i një Ueb Platforme për promovimin e kompanive dhe produkteve Kosovare në mbarë botën”, titullohet projekti që është në mesin e fituesve për grante të vitit 2018 nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Por kjo platformë për të cilën u paguan 50 mijë euro, akoma nuk mund të gjendet online.
Buletini Ekonomik ka pritur për më shumë se një javë nga Drejtori i Klubit, Astrit Panxha, për t’i dhënë sqarimet e nevojshme, mirëpo ai nuk ka kthyer përgjigje.
Po ashtu, gazeta ka dërguar në Ministrinë e Inovacionit, edhe Kërkesë për Qasje në Dokumente Publike, për të pasur qasje në raportet narrative dhe financiare që ky asociacion ka raportuar në ministri lidhur me mbarëvajtjen e projektit. Afati ligjor prej 7 ditëve ka kaluar, ndërkohë kjo ministri nuk i është përgjigjur kësaj kërkese. /Buletini Ekonomik/