Muhamet Tahiri këtë vit i mbush 60 vjet. Ai është i lidhur emocionalisht me lumin Lepenc, këtu në fshatin e tij të lindjes, Biti e Poshtme, në Shtërpcë.
Por përveç kujtimeve të fëmijërisë dhe dashurisë që u rritën bashkë, për Tahirin Lepenci ka kuptimin e jetës.
Ai tërë jetën pothuajse ia kushtuar bujqësisë, e këtë vit ka kultivuar rreth 20 ari mjedra, por ndërtimi i një mini-hidrocentrali shumë pranë tokës së tij, thotë se mund të shkatërrojë gjithë investimin.
Që nga viti 2015 ai dhe banorë të tjerë të këtij fshati serb e shqiptarë janë ngritur në këmbë kundër futjes së lumit Lepenc në gypa.
I bën ballë edhe dhunës që ushtruan forcat policore gjatë protestave.
Ata nuk po dorëzohen dhe çdo ditë pune po qëndrojnë këtu, ku ekskavatori është duke punuar.
Banorët kanë marrë përkrahje nga organizatat e shoqërisë civile, por jo edhe nga Komuna e Shtërpcës, kryetari i së cilës asnjëherë nuk pranoi të takohet me ta.
Instituti Demokratik i Kosovës kërkon llogari dhe angazhim nga Komuna dhe Ministria e Mjedisit.
Nga Shoqata e Energjisë së Ripërtritshme thonë se po bëhet një fushatë kundër hidrocentraleve, pavarësisht që asnjë nga to deri tash nuk ka leje mjedisore.
Nga Ministria e Mjedisit thonë se në Kosovë deri më tani asnjë hidrocentral nuk ka leje Mjedisore sepse sipas tyre Leja Mjedisore lëshohet pas përfundimit të ndërtimit dhe finalizimit të projektit gjegjësisht pas punës provuese.
Por shoqëria civile po kërkon shqyrtim të strategjisë për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.
Një kërkesë e Bashkimit Evropian që Kosova të prodhojë këtë lloj të energjisë deri në 20 për qind deri në vitin 2020, po vlerësohet se u keqkuptua nga institucionet kosovare.
Kosova nuk ka kapacitete ujore për të funksionalizuar kaq shumë hidrocentrale.
Ndikimi i tyre në mjedis vlerësohet se është i dëmshëm dhe i pakthyeshëm.
Operimi i hidrocentraleve në Grykën e Deçanit është dëshmia më e mirë që të mos lejohen hidrocentrale të tjera në Kosovë, thotë Adem Lushaj.
Sipas tij, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka gabuar rëndë kur lëshoi licencë për 1 vjet për operim këtyre hidrocentraleve.
Nga ky institucion kanë thënë për KTV-në se kjo u bë pasi kompanitë kanë certifikata nga Ministria e Mjedisit, por që kjo u mohua nga ky dikaster.
Megjithatë protestat e qytetarëve arritën të ndalin përkohësisht ndërtimin e mini-hidrocentraleve në Grykën e Rugovës e në rajonin e Zhupës në Prizren.
Kryetari i Pejës thotë se çdo tentativë e re për hidrocentrale në Rugovë është e gabuar pasi nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.
Rugova është një ndër pikat kryesore turistike për vendin, ndërtimi eventual i hidrocentraleve në këtë zonë, do të nënkuptonte mos zhvillim të turizmit dhe shkatërrim të natyrës.
Aktualisht operojnë 14 hidrocentrale të vogla dhe 21 të tjera janë në faza të ndryshme të procedimit.
Shpresat janë drejtuar kah Qeveria e re, nga e cila banorë e aktivistë të shoqërisë civile presin që të trajtojë seriozisht çështjen e hidrocentraleve.