Lutfi Haziri punësoi brenda ditës rreth 30 persona me kontratë mbi vepër

Mbi 100 persona janë me kontratë mbi vepër të punësuar në Komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Lutfi Haziri i LDK-së. Numri u rrit dukshëm edhe me disa të punësuar në këtë javë. Auditori Gjeneral në vazhdimësi e ka kritikuar këtë komunë për aplikimin e këtyre kontratave.

27 persona brenda një ditë kanë filluar punën në Komunën e Gjilanit. Ata u akomoduan në drejtori të ndryshme më datë 1 tetor, ose pesë ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Të gjithë të punësuarit janë angazhuar me kontratë të përkohshme –kontratë për shërbime të vençat (kontratë mbi vepër), shkruan lajmi.net.

Reklama e sponzorizuar

Një varg pyetjesh i janë drejtuar zyrës për informim nga lajmi.net lidhur më këtë konkurs, por nuk ka marrë përgjigje.

Inspektor i ndërtimit, zyrtarë për efiqiencë, zyrtarë në qendrën për përkrahje të bizneseve, zyrtarë i komunikacionit, inxhinier i hidrës, etj, janë disa nga pozitat e zyrtarëve që u pranuan në punë.

Madje, është punësuar edhe një zyrtar i prokurimit. Lajmi.net ka gjetur se mbi 40 perona me kontratë të përkohshme janë të punësuar në këtë komunë si zyrtarë të prokurimit.

Personi i parë i rënditur në listë është njeri i afërt i LDK-së dhe Lutfi Hazirit. Bëhet fjalë për Jonuz Hasani, i cili është angazhuar në zyrën e kryetarit të Komunës, në pozitën ‘Koordinator i Zyrës për Preshevë, Bujanoc, Medvegjë”.

Vetëm gjatë vitit të kaluar 119 persona janë angazhuar në mënyrë të përkohshme në Komunën e Gjilanit. Në raportin vjetor të 2018-tës për Komunën e Gjilanit që u publikua nga Zyra Kombëtare të Auditimit para pak muajve thuhet se brenda këtij numri, 42 janë angazhuar në administratë si zyrtarë të prokurimit.

Edhe në vitin e kaluar ka pasur raportime për vazhdime të kontratave mbi vepër për persona të njëjtë pa konkurs. Në raportin e auditimit thuhet se për të angazhuarit në administratë angazhimi i personave ka ndodhur pasi që Komuna ka mbi 40 punëtorë të suspenduar për shkak të hetimeve penale nga ana e Prokurorisë, ndërsa për stafin tjetër Komuna nuk ka buxhet të aprovuar për personel shtesë.

Sipas Ligjit të shërbimit civil – Emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se 6 muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Auditori ka thënë se mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat.

Lajmi.net ditë më parë ka raportuar për punësime partiake në pozitat për drejtorë dhe zv .drejtorë në disa shkolla të Komunës së Gjilanit.