LVV-ja e LDK-ja pa plan për “Kosovën e Re”

Ndonëse po bëjnë përpjekje për formimin e qeverisë së re, LVV-ja e LDK-ja akoma nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të bëjnë me projektin “Kosova e Re”. Vetëvendosja shpreson në dështimin e kësaj marrëveshjeje, kurse LDK-ja s’ka një qëndrim të qartë për të, shkruan sot gazeta “Zëri”. 

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat dolën parti fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit, pritet që shumë shpejt ta formojnë qeverinë e re. Mirëpo as njëra e as tjetra deri më tani nuk kanë një plan se çfarë do të bëjnë me Marrëveshjen me kompaninë “Contour Global” për Ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, marrëveshje e cila u arrit më 20 dhjetor të vitit 2017.

Ndonëse LVV-ja që nga fillimi ka kundërshtuar marrëveshjen si të tillë, ata për “Zërin” kanë thënë se vetëm shpresojnë që ky projekt nuk do të gjejë mbështetje financiare e të dështojë në tërësi. Në anën tjetër LDK-ja akoma nuk ka një qëndrim të prerë për “Kosovën e Re”, pasi duan që së pari të shohin marrëveshjen për të parë nëse ka pësuar ndryshime nga koha kur është nënshkruar.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë shoqëria civile po bën presion që të shkëputet kjo kontratë.