“Nuk kemi pasë ekspertizën e mjaftueshme në Ministrinë e Drejtësisë. Kemi angazhuar edhe ekspertë të huaj në këtë proces dhe besoj që në mbledhjen e radhës, jo nesër kur do të jetë, por në mbledhjen e radhës, në fund të kësaj ose tjetrës, do të miratohen edhe këto udhëzime administrative që do të jenë në linjë me ligjin i cili është në fuqi”.
Kështu ishte shprehur ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri, më 14 janar, 2019.
Me dhjetëra mbledhje të qeverisë janë mbajtur pas këtij deklarimi nga janari i këtij viti, i ministrit Tahiri, raporton KTV.
Por, në asnjërën prej tyre nuk janë miratuar udhëzimet administrative, që për bazë kanë Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Në njërin prej tyre pritej të përcaktoheshin edhe shumat e kompensimit për avokatët mbrojtës të personave që do të akuzohen.
Megjithëse mjete për mbrojtje, shteti ndau pavarësisht mungesës së bazës ligjore, Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria, kanë drejtuar gishtin kah njëra-tjetra në kërkesën e KTV-së për qasje në dokumente publike, për vendimet për ndarjen e mjeteve.
Ministria e Drejtësisë ka thënë se vendimet për pagesa të personave potencialisht të akuzuar, janë nxjerrë nga Qeveria e Kosovës dhe aty duhet bërë kërkesa.
“Sa i përket çështjes së adresuar në kërkesën tuaj (kërkesë për qasje në dokumente zyrtare), ju njoftojmë se vendimet origjinale lidhur me aprovimin e kërkesave për mbulimin e shpenzimeve që lidhen me personat e akuzuar potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë vendime të nxjerra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, andaj me mirësi ju lutem për referim te Zyra e Kryeministrit”, ka thënë Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Drejtësisë.
E Zyra e kryeministrit thotë se i gjithë ky proces, në fakt, menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë.
“Lidhur me kërkesën tuaj për qasje në dokumente publike, për vendimet që kanë të bëjnë me shpenzimet e të ftuarve nga ana e Dhomës së Specializuar dhe Prokurorisë së Specializuar, ju informojmë se i gjithë procesi menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë dhe kësisoj ju sugjerojmë që t’ju drejtoheni atyre”, ka thënë Zyra për Komunikim Publik e Zyrës së Kryeministrit.
Se ishin ndarë mjete nga Zyra për ndihmë juridike për të akuzuarit potencialë nga Specialja, u konfirmua edhe nga avokati i Driton Lajçit, Artan Qerkini, pasi Prokuroria e Specializuar kishte dyshime për financimin e disa prej individëve.
Mungesa e llogaridhënies dhe e transparencës nga qeveria në largim, për drejtorin ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, nuk janë befasi, por rikujton se në këtë fazë, askujt nuk duhet t’i ofrohet ndihma financiare.
Përndryshe, Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara është miratuar në gusht të vitit 2015 dhe në të, parashihej që legjislacioni sekondar të miratohej në tre muajt e parë pasi ligji të hyjë në fuqi.
Qeveria e Kosovës, për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për të akuzuarit e mundshëm, kishte vënë në dispozicion një fond prej 1.5 milion eurosh, me mundësi që i njëjti të shtohet.