PDK kërkon dorëheqjen e Glauk Konjufcës për shkak të “lidhjeve” me Syrin e Popullit

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza përmes një konference për media në selinë e partisë ka kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit, Glauk Konjufcës, për siç ka thënë ai lidhjet që ka me organizatën ‘Syri i Popullit’, raporton Gazeta Express.

Hamza ka deklaruar se qasja e LV-së është e papranueshme, teksa kanë kërkuar nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti që të sqarojë opinionin publik për lidhjet me këtë organizatë.

 “Nesër mbushen një javë prej kur është dënuar organizata terroriste, është e prapranueshme qasja e deritanishme e Lëvizjes Vetëvendosje e cila pretendon të udhëheq shtetin dhe institucionet e vendit. Akoma më alarmante është mosdeklarimi për këtë çështje i kryetarit të LV-së që është një nga ideologët politik të kësaj organizate, si bartës i njërës prej pozitave më të rëndësishme të shtetit të Kosovës, ai ka detyrim moral dhe institucional që të sqarojë opinionin publik për implikimin e tij personal me këtë organizatë kur dihet që për më tepër që ai është i lidhur ngushtë familjarisht me njërin nga protagonistët e kësaj organizate terroriste, Sadri Rambajën, ish kandidatin për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Hamza.

Reklama e sponzorizuar

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, i ka lidhur aktivitetet e organizatës ‘Syri i Popullit’ me LV-në.

“Aktivitetet e kësaj organizate janë produkt i një fushate të gjatë dhe intenzive të gjuhës së urrejtjes si dhe të stigmanizimit sistematik të institucioneve dhe figurave shtetërore, kjo fushatë u përshkallëzuar në akte të organizuara dhune, sulmet me gurë, molotov, vezë e gaz lotsjellës, e deri te djegia e veturave, vendosja e bombave nëpër shtëpi private, e gjuajtja e institucioneve më të rëndësishme të shtetit”, ka shtuar ai.

Bedri Hamza ka kërkuar që Glauk Konjufca të jep dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit.

“20 vjet pas luftës, Kosova nuk meriton të ketë në krye të institucioneve një politikan që ka lidhje familjare dhe politike me të dënuarin në rastin Syri i Popullit, tanimë që aktakuza është vërtetuar dhe Ramabaja është dënuar, është e domosdoshme që LV të reagojë dhe të distancohet nga kjo organizatë. Për këtë arsye Glauk Konjufca duhet urgjentisht të jap dorëheqje që ta ruaj karakterin demokratik dhe ligjor të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.