Ndarja e posteve qeveritare mes LVV-së e LDK-së pritet të shkaktojë vonesa në formimin e qeverisë së re. Analistët vlerësojnë se zvarritja e formimit të institucioneve të reja mund të shmanget me ndarjen e barabartë të përgjegjësive mes LVV-së dhe LDK-së, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndonëse menjëherë pas zgjedhjeve shprehën gatishmëri për të lidhur bashkëpunim qeveritar, LVV-ja e LDK-ja ende nuk e kanë arritur atë.
Pas një takimi të parë që e patën LDK-ja i ngriu negociatat e nivelit të lartë me Vetëvendosjen, për të pritur numërimin e të gjitha votave deri në certifikim të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Mirëpo një gjë e tillë nuk i pengoi të dy partitë që të kalkulojnë për atë që u takon në qeverinë e re, e cila deri tani sa dihet pritet të udhëhiqet nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ndonëse nga të dy partitë janë shprehur për “Zërin” se ende nuk janë duke biseduar për ndarjen e ministrive, gazeta merr vesh se është diskutuar ndarja e ministrive nga 5 dikastere për të dy këto subjekte, mirëpo një formulë e tillë nuk ka gjetur pajtueshmëri të plotë te këto parti.
Aktualisht LVV-ja e LDK-ja kanë arritur pajtueshmëri vetëm në zvogëlimin e ministrive, nga 21 në 12 sosh. Ata kanë rënë dakord që të bëhet reduktimi ose shkrirja e disa ministrive në disa dikastere tjera qeveritare, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.
Kësisoj theksohet se në Ministrinë e Punëve të Jashtme do të shkrihet Ministria e Diasporës dhe ajo e Integrimeve Evropiane. Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Pushtetit Lokal do të bëhen një.
Gjithashtu në një ministri të vetme pritet të bashkohen edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik me atë të Tregtisë dhe Industrisë.