Për rregullimin e 2 kilometrave të shtratit të lumit Klina në Skenderaj janë realizuar katër projekte që kanë pasur koston prej mbi 3 milionë eurosh, por projekti prej 1.8 milion eurosh pati dështuar, ndërsa për rregullimin e shtratit të lumit Drenica në Drenas dhe atij Vërbica MMPH-ja investon mbi 1.3 milion euro. Shtrati i lumit Klina në Skenderaj është i mbyllur nga mbeturinat dhe nga gurët, shkruan gazeta “Zëri”.
Qeveria e Kosovës – Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka investuar deri më tani 4.5 milionë euro për rregullimin e shtretërve të tre lumenjve në Drenicë, një në Skenderaj dhe dy në Drenas. Por cilësia e dobët e punimeve ka bërë që projektet të dështojnë, ndërsa për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së lumenjve nga komunat, shtretërit e lumenjve janë mbushur me mbeturina.
Grumbuj të gurëve dhe të mbeturinave përgjatë gjithë shtratit të lumit Klina në Skenderaj ende mbajnë të mbyllur shtratin e lumit për të cilin janë investuar hiç më pak se 3 milionë euro. Komuna e Skenderajt kishte organizuar një kompani për pastrimin e shtratit të lumit Klina, por që të gjitha mbeturinat janë mbledhur në grumbuj dhe kanë mbetur përgjatë shtratit.
Shtrati i lumit Klina, që kalon nëpër Skenderaj, ishte bërë një prej hapësirave më kundërmuese dhe më të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të Skenderajt. Përveçqë kundërmonte erë e rëndë që ta zinte frymën, sidomos gjatë ditëve me temperaturë të larta, pjesa më e madhe e shtratit të lumit ishte mbushur me shelgje dhe ferra, madje edhe me gurë e mbeturina të llojeve të ndryshme. Kompania e angazhuar ka arritur deri në një masë t’i largojë shelgjet dhe ferrat, por gurët dhe mbeturinat e ngurta kanë mbetur grumbuj nëpër shtratin e lumit.