Ndonëse nuk e ushtrojnë detyrën e tyre që nga 22 gushti i këtij viti, deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre prej rreth 2 mijë eurosh. Të njëjtat përfitime, përpos ish-deputetëve, do t’i gëzojë edhe për një vit gjithë kabineti qeveritar në dorëheqje, duke përfshirë ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë etj, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
120 deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, 21 ministrat, mbi 80 zëvendësministra, si dhe afro 100 këshilltarë politikë të qeverisë “Haradinaj” do të vazhdojnë t’i marrin pagat edhe pas përfundimit të mandatit të tyre. Këto përfitime ata do t’i gëzojnë deri më 27 gusht të vitit 2020, kur edhe përfundon afati ligjor, i paraparë me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili është hartuar dhe është miratuar në vitin 2010 e që e përcakton kompensimin e pagës bazë të deputetit për një periudhë 12-muajshe pas përfundimit të mandatit të tyre.
Përpos deputetëve, pa përfitime nuk do të mbetet as ish-kabineti i qeverisë “Haradinaj”, kjo për shkak se ish-deputetët e legjislaturës së kaluar kishin miratuar një amendament, i cili i shpërblen me pagë kalimtare edhe zëvendësministrat e Qeverisë, duke ua mundësuar atyre të shpërblehen me 70 për qind të pagës për gjashtë muaj edhe pas përfundimit të mandatit, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të 20 dhjetorit të 2017-s, një zëvendësministër është paguar në vlerën prej 1.150 eurosh, kurse pas përfundimit të mandatit ata do të marrin hiç më pak se 800 euro për periudhën e paraparë sipas ligjit.