Probleme me njohjen e diplomave jashtë vendit, dëmtimi i reputacionit të arsimit të lartë, mbetja e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) pa mbikëqyrje ndërkombëtare, janë vetëm disa nga pasojat me të cilat do të ballafaqohet Kosova pas vendimit të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) për ta përjashtuar këtë agjenci, shkruan sot Koha Ditore.
Njohës të çështjeve të arsimit konsiderojnë se Qeveria Haradinaj është fajtorja kryesore pse Agjencia mbeti jashtë dy organizatave të rëndësishme evropiane, në të cilat ishte anëtare. Sipas tyre, rikthimi në këtë institucion evropian është i arritshëm vetëm nëse AKA-ja garanton profesionalizëm dhe pavarësi.
Më 19 shtator, ENQA mori vendim që ta përjashtojë AKA-në për shkak se kjo e fundit nuk arriti të shënojë rezultate dhe pati edhe ndërhyrje politike në të. Vitin e kaluar, ENQA ia zbriti statusin Agjencisë nga “anëtare me të drejta të plota” në “anëtare nën vëzhgim” për shkak të ndërhyrjeve politike në Agjenci.
Edhe Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) e përjashtoi Agjencinë me arsyetimin se e ka humbur aftësinë për të vepruar si e pavarur. Kjo pasi, në shtator të vitit 2017, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj e shkarkoi Këshillin Shtetëror të Cilësisë (bordin e Agjencisë) dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të këtij institucioni.