Përkundër protestave të njëpasnjëshme, përsëri kanë filluar punimet për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc.
Këtë të martë, kompania ndërtuese e ka zgjeruar edhe perimetrin e punimeve, raporton KTV.
Kështu, banorët e fshatit Biti të Shtërpcës e kanë filluar edhe një protestë tjetër. Ata thonë që tashmë iu është ndaluar edhe qasja në pronat e tyre.
Më tutje, banorët thonë se askush nga institucionet nuk po i ndihmon ata.
I gjithë perimetri i punimeve ishte i mbikëqyrur nga Policia e Kosovës. Madje, gjatë kohës sa kryheshin punimet, e pranishme ishte edhe njësia speciale.
Sipas majorit Mehmetali Hajdini, policia është e thirrur t’i mbikëqyrë punimet që zhvillohen në lumin Lepenc.
Që nga 8 tetori janë ndërprerë punimet për ndërtimin e hidrocentralit, pasi gjatë një proteste, pati përleshje ndërmjet policisë e banorëve të fshatit Biti.
Që nga ajo kohë, nga banorët dhe Institucioni i Avokatit të Popullit është kërkuar që përkohësisht të ndërpriten punimet. Mirëpo, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në një përgjigje për KTV-në, e ka hequr përgjegjësinë nga vetja dhe ka thonë se ndërprerja e punimeve varet nga ZRRE-ja.