Nëntë persona, të gjitha këto femra, dy prej tyre shtatzënë, nga 26 që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nga kontakti me zarfet me vota të ardhura nga Serbia për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, atyre u është shkaktuar alergji në fytyrë dhe duar. Gjendja shëndetësore e të gjitha femrave sipas mjekëve të QKUK-së, raportohet të jetë stabile.
Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë ende nuk kanë bërë të ditur se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë. E ndërkohë, rasti sipas zyrtarëve të QNR-së ndodhi në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Për këtë rast për Express gjatë ditës së djeshme ka folur edhe Besnik Buzhala nga Divizioni i Shërbimit të Votuesve. Sipas tij, zyrtarët kanë shenja të alergjisë në fytyrë dhe në duar.
Ai për Gazetën Express ka deklaruar se janë 5 kuti rreth 80-litërshe që kanë ardhur nga Serbia me vota të cilat pas hapjes kanë kutërbuar.
“Janë diku rreth 26 zyrtarë që janë helmuar, pra kanë marrë alergji në duar dhe fytyrë. Ne në mëngjes i kemi pas zarfet edhe aty zyrtarëve u është shfaqë alergjia. Janë 5 kuti rreth 80-litërshe që kanë ardhur nga Serbia”, ka deklaruar Buzhala për Express.
E ndërkohë mjekët në QKUK kanë sqaruar se gjatë ditës së djeshme në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë paraqitur 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruajtje të duarve të intensitetit të ulët. Tutje, dy nga nëntë pacientet kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë.
“Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ekipi kujdestar i Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i hospitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore. Konsiliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të hospitalizuar”, kanë deklaruar për Express zyrtarë nga SHSKUK-ja.
Me rastin tashmë është duke u marrë edhe Prokuroria Speciale, si dhe Policia e Kosovës.
Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Policia posedon informacionin e tillë, ndërsa lidhur me detaje në këtë fazë adresohuni KQZ-së dhe autoriteteve shëndetësore. Ne po e trajtojmë rastin”, ka deklaruar Hoxha.
E megjithëkëtë, vëzhguesi i organizatës “Germin”, Shpëtim Shujaku, ka thënë se 26 zyrtarët e KQZ-së, në momentin që kanë hapur zarfet, kanë filluar të kenë reaksione, disa kanë pasur skuqje në dorë, kruajtje dhe disa shenja përreth syve.
Ai nuk ka pasur probleme deri tash, pasi ka qenë vetëm si vëzhgues, megjithatë ka rrëfyer ngjarjen.
“Në momentin që janë hapë këto zarfe kanë pas një erë shumë të rëndë dhe kanë kundërmuar dhe pastaj me vazhdimin e procesit kur i kanë hapë, disa prej zyrtarëve të KQZ-së që kanë pasë kontakt fizik me këto zarfe kanë filluar me pasë reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruarje dhe disa shenja përreth syve. Pastaj u marrë vendimi prej zyrtarit kryesor Besnik Buzhala që procesi me u suspendu për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi i pakove nga Forenzika”, tha ai për KP.
Ndërkohë, QKUK-ja ka dhënë detaje lidhur me zyrtarët e KQZ-së, të cilët janë dërguar për tretman.
Kryeshefi i ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, ka vizituar vendin ku janë helmuar zyrtarët e KQZ-së, me ç’rast ka thënë se ende nuk e dinë se çka ka ndodhur por se kishte raportim për një kundërmim në disa pliko.
“Jemi në proces të verifikimit të votave nga jashtë, ndërkohë është raportu për një kundërmim në disa pliko. Aty ka zarfe që kanë ardhë edhe nga shtetet tjera por dhe nga Serbia. KQZ-ja po pritet të vendosë se si do të veprohet. Ne jemi të vendosur që nuk do të preket asgjë nga integriteti i procesit zgjedhor”, tha ai.
“Ende situata nuk është e qartë, aty ka zarfe që kanë ardhur nga vendet tjera dhe nga Serbia. Zarfi përbën material të ndjeshëm dhe tashmë është në pronësi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Halimi tha se nuk dihet çfarë substance apo helmi është përdorur dhe është herët të flitet, ngaqë janë në proces të analizimit nga organet kompetente.
Lidhur me rastin e sotëm kanë raportuar edhe agjencitë botërore të lajmeve.
“Më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë dërguar në spital me probleme shëndetësore pasi hapën pesë kuti votimi nga Serbia, thanë të dielën autoritetet në Kosovë”, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Lidhur me rastin e djeshëm ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se kjo ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik.
Vetëvendosja kërkon nga autoritetet shtetërore që të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
Ndërsa, helmimi i zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë numërimit të votave, pas hapjes së zarfeve të ardhura nga Serbia, nga eksperti i sigurisë, Avni Islami, po konsiderohet si një sulm kimik-biologjik ndaj një institucioni, por edhe vetë Kosovës.
Islami në një prononcim për Telegrafin ka thënë se “letrat helmuese, të ardhura nga Serbia dhe gjithçka e keqe që vjen nga ky shtet nuk do të duhej të ishin befasi për neve”.
Ai tha se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), si dhe gjitha institucionet e sigurisë duhet të jenë në alarm 24 orë.
“Kjo që ka ndodhur në qendrën e numërimit të votave tregon se institucionet përgjegjëse nuk e kanë parandaluar një “sulm kimik-biologjik” me anë të zarfeve”, tha Islami për Telegrafin.
Eksperti i sigurisë thotë se ky rast ia kujton luftën e terroristëve me “zarfet e antraksit” drejtuar edhe shefave të shteteve për helmim ose edhe shpërthim të këtyre letrave.
Komisioni Qendror Zgjedhor, pas rastit të kundërmimit dhe shfaqjes së alergjisë të nëntë zyrtarëve të saj duke verifikuar votat e ardhura nga Serbia, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme.
Me këtë rast, kryetarja e këtij Komisioni, Valdete Daka, tha se të gjitha zarfet që dyshohen për substanca të ndryshme do të qëndrojnë në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, pasi do të jenë objekt i hetimit nga Policia e Kosovës. Ndërsa për votat e tjera, afër 15 mijë të diasporës, nesër do të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).