Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, e kemi parë shpesh gjatë pjesës së parë të mandatit duke shpërndarë medalje presidenciale për një numër të madh personalitetesh nga të gjitha fushat.
Duket se kështu do të jetë edhe në pjesën e mbetur të mandatit, shkruan Buletini Ekonomik.
Pritet që edhe një numër i madh i medaljeve të shpërndahen nga presidenti deri në fund të mandatit.
Zyra e Presidentit tashmë ka porositur plot 1 mijë medalje të reja presidenciale, në tenderin që ka kushtuar 170 mijë euro.
“Gan Dizajn”, është kompania që do ta bëjë furnizimin me medalje për Zyrën e Presidentit.
Kontrata është për një periudhë 3 vjeçare, deri kur edhe do t’i përfundojë mandati presidentit aktual.
“Sasia e planifikuar për tri (3) vite është një mijë (1.000) copë medalje, vlera totale në mjete monetare është 170,000. 00 euro”, thuhet në tender.
Ndryshe, Presidenti Thaçi, që nga betimi tre vjet më parë, ka ndarë gati 700 dekorata.
Sipas listës së publikuar në ueb-faqen presidenciale, e përditësuar në fund të vitit 2018, Thaçi ka ndarë hiç më pak se 657 dekorata, ku përfshihen medalje, tituj, urdhra e mirënjohje.
Ndarja e dekoratave, nga Thaçi ka vazhduar edhe në muajt e vitit 2019, ku nuk përjashtohen edhe këngëtarë, gazetarë, emisione televizive e kreatorë të modës. /Buletini Ekonomik/