Prokuroria e Shtetit nis hetimet për “avullim” biletash në ndeshjet e Kosovës

Prokuroria e Shtetit ka thënë për KTV-në se bazuar në lajmet e publikuara së fundmi rreth shitjes së biletave, ka filluar grumbullimin e informatave, në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura për shitjen e biletave për ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja e Kosovës.

Dyshimet kanë nisur më shumë edhe në ndeshjen e fundit që u zhvillua me Malin e Zi.

Ditë më parë edhe FFK-ja kërkoi të nisin hetimet për bileta.

Reklama e sponzorizuar

E sot në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se është arrestuar një person pasi i njëjti shiste bileta në tregun e zi.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti kishte qenë duke shitur bileta futbolli në tregun e zi. Nga i dyshuari janë konfiskuar 6 bileta të dyshuara për falsifikim. Në stacion policor janë paraqitur katër ankues shqiptarë, të cilët kanë deklaruar se nga i dyshuari kishin blerë bileta në shuma të ndryshme dhe më pas kishin kuptuar se biletat ishin të falsifikuara. Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së, raporton Koha.net.

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se Prokuroria e ka shumë të lehtë të zbulojë çka po ndodh realisht me shitjet e biletave.

“Prokuroria e ka shumë të lehtë me i ra në fije se çka po ndodhe me biletat e ndeshjeve të Kosovës. Krejt çka duhet me kërku nga kompania qe e ka marrë përsiper shitjen asht: 1. Listën me ‘timestamp’ për të gjithë personat që kanë ble, dhe . Pasqyrën e llogarisë ‘merchant account’, të kompanisë. Me këto dyja, vërtetohet nëse biletat përnime po shiten për 7 minuta, apo nëse këtu ka ndonjë dallaver. Dyshimet anojnë kah kjo e dyta”, ka shkruar Murati.