Ka kaluar më shumë se një vit qëkur Prokuroria Speciale nuk ka ngritur asnjë aktakuzë të profilit të lartë për veprat që lidhen me korrupsion. Aktakuza e fundit për korrupsion është ngritur ndaj ish-kryeshefave të Postë Telekomit për aktakuzën e njohur si “Telekomi”. Aktakuza ndaj tyre është ngritur pasi atyre u kanë përfunduar mandatet në këtë ndërmarrje.
Prej atëherë asnjë aktakuzë nuk është dorëzuar në Gjykatë nga kjo prokurori.
Në Prokurorinë Speciale punojnë rreth 20 prokurorë. Një nga kompetencat ekskluzive të kësaj prokurorie është hetimi i korrupsionit të profilit të lartë, shkruan sot Koha Ditore.
Aktakuzat e fundit që janë ngritur janë për ish-kryeshefa të ndërmarrjeve publike ose ish-zyrtarë të tjerë që nuk janë aktualisht në pozitë.
Nga të dhënat e mbledhura nga gazeta, del se nga gushti i vitit 2018 ky institucion nuk e ka asnjë zyrtar të lartë të akuzuar. Dhe kjo përbën rekord për Prokurorinë Speciale.
Në pjesën e parë të vitit 2018 ka pasur disa aktakuza të ngritura për korrupsion të profilit të lartë. “Pronto” dhe “Sekseri”, janë dy nga to, të cilat janë në procedimin në gjykatë ose janë në trajtim e sipër.