Rrjedha e Lepencit mblodhi gratë e fëmijët e Bitisë së Poshtme të Shtërpcës në zonën ku po vazhdojnë punimet për ndërtim të hidrocentralit.
Përveç banorëve, protesta në këtë zonë mblodhi edhe njësitin special të rajonit të Ferizajt, raporton KTV.
Nën mbikëqyrjen e tyre, edhe pse në numër jo shumë të madh, banorët e Bitisë ishin të zëshëm edhe gjatë së martës.
Banorët patën kërkesa edhe për forcat e rendit që kishin dalë aty.
Derisa, sipas banorëve, dëmtimi i rrjedhës së ujit dhe pronave private po ua pamundëson jetën në Shtërpcë.
E komandanti i njësitit policor të Shtërpcës tha se nëse toka u takon banorëve, puna aty do të ndërpritet.
“Pati keqkuptime mes kryesve të punimeve dhe pronarëve të tokave. Vendosëm që punimet të ndërpriten derisa të vërtetohet gjendja në terren. Me komunën do ta verifikojmë nëse kjo tokë është pronë private ose jo”, ka thënë Dragan Ivanoviq, Komandant i njësitit policor të Shtërpcës.
Ivanoviqi tutje shtoi se nëse dokumentet janë në rregull, punimet këtu do të vazhdojnë.
Mirëpo, banorët e Bitisë së Poshtme thanë se do të ketë sërish protesta nëse një gjë e tillë ndodhë.