Sot pasdite pritet të përfundojë rinumërimi i 314 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për shkak të gabimeve teknike me printimin e formularëve, por sipas koordinatorit të QNR-së, Burim Ahmetaj besohet që brenda dy-tre ditësh nis numërimi i votave me kusht.
Ahmetaj theksoi se akoma janë në procesin e përgatitjes së raportit të auditimit në bazë rekomandimeve për KQZ-në, që nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe rinumërime të tjera.
“Deri më tani diku 80 për qind është bërë rinumërimi, pjesën tjetër e kemi në proces, që mendojmë që sot gjatë ditës në orët e vona të mbrëmjes të kompletohet dhe rinumërimi i 314 vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim KQZ-ja për shkak të gabimit teknik që ka ndodhur në formularët e rezultateve”, tha ai.
Ahmetaj theksoi se nga krahasimet që i janë bërë formularëve të rinumëruar nuk është vërejtur ndonjë dallim të votave të subjekteve.
“Nga auditimet e para që i kemi bërë, te subjektet nuk vërehet ndonjë diferencë e madhe, ndërsa te pjesa e kandidatëve meqenëse formularët publikohen, çdokush mund të bëjë krahasimet sa i përket kandidatëve para dhe pas rinumërimit. Pra, sa i përket subjekteve politike, mos shënimi i saktë i votave përpos gabimit teknik në formularë nuk vërehet ndonjë dallim i votave te subjektet tjera”, deklaroi ai.
Ndërsa, Ahmetaj shtoi se QNR është në procesin e regjistrimit të votave me kusht, proces që është afër kompletimit, sipas të cilit, besohet që brenda dy-tre ditëve nis numërimi i votave me kusht.
“Ky proces akoma nuk është kompletuar dhe besojmë që brenda dy – tre ditëve do të kompletohet ky proces në mënyrë që t’i hapet rruga edhe numërimit të votave me kusht… Votat me postë dhe shërbimi votues janë transferuar në QNR, akoma jemi në fazën e vlerësimit nuk është bërë ende pranimi formal i votave me postë përderisa ky proces nuk është i kompletuar që do të mund të fillojmë me numërimin tyre. Pavarësisht kësaj, kur të kompletohet procesi i votave me kusht dhe pranimi i votave me postë, atëherë do të mund të fillojmë me numërimin e tyre”, tha Ahmetaj.
Procesi i zgjedhjeve parlamentare ishte mbajtur më 6 tetor dhe sipas rezultateve preliminare, partia e parë është LVV, e dyta LDK, pasuar nga PDK.