Rënie drastike e bizneseve të reja të regjistruara

Tremujori i fundit në vend ka shënuar rënie sa i përket regjistrimit të ndërmarrjeve ekonomike nga qytetarët, përcjell Buletini Ekonomik.

Vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar rreth 2 mijë e 379 ndërmarrje ekonomike, me ç’rast është vërejtur një rënie për 10.4 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara krahasuar me tremujorin paraprak po të këtij viti, ku ishin regjistruar gjithsej 2 mijë e 655 ndërmarrje.

Në bazë të llogaritjeve të Buletinit Ekonomik për të tre tremujorët gjatë këtij viti, prej janarit e deri më tani në vendin tonë kanë dalë në  treg rreth 7 mijë e 438 ndërmarrje ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktivitetet ekonomike më të preferuara, që qytetarët vazhdimisht po shprehin interesim janë në fushat ekonomike si në vazhdim: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 572, krahasuar me tremujorin e dytë që ishin 590 ndërmarrje të regjistruara, fusha e prodhimit me 294, me ç’rast u pa një rënie prej 185 ndërmarrje më pak në krahasim me tremujorin e dytë po të këtij viti që ishin 479 ndërmarrje, fusha e akomodimit dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 275, që prapë kemi rënie nga 359 ndërmarrje sa ishin në tremujorin e dytë, si dhe fusha e ndërtimtarisë me 245, që është vetëm dy ndërmarrje më pak krahasuar më 247 ndërmarrje në tremujorin paraprak.

Rënie e interesimit të qytetarëve është vërejtur edhe në aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, ku në këtë tremujor të fundit janë regjistruar 197 ndërmarrje në krahasim me 236 ndërmarrje në tremujorin paraprak.

Megjithatë, këto ndërmarrje në Kosovë vazhdojnë të jenë shumica mikro ndërmarrje, pra më një  numër të vogël të punëtorëve në çdo sektor ekonomik.

2 mijë e 338 ndërmarrje prej të gjithave, janë mikro ndërmarrje me 1 deri në 9 persona të punësuar, ndërkaq 37 ndërmarrje tjera janë ndërmarrje të vogla me 10 deri në 45 persona të punësuar.

Ndërsa sa i përket ndërmarrjeve të mesme, gjatë këtij tremujori janë regjistruar vetëm tri të tilla, të cilat numërojnë 50 deri në 249 punëtorë.

Ndërkohë, në krahasim me tremujorin e kaluar që nuk ka pasur asnjë ndërmarrje të madhe me 250 punonjës e më shumë, këtë tremujor është regjistruar një e vetme, e që është nga fusha e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim.

Shumica e këtyre ndërmarrjeve të cekura më lartë, më saktësisht 1 mijë e 694 prej tyre, ishin ndërmarrje me pronarë meshkuj.

Ndërkaq, ndërmarrje me pronarë femra në këtë tremujor ishin regjistruar gjithsej 606 ndërmarrje. E ndërmarrje me ortakëri ose aksionarë të të dy gjinive janë regjistruar 79 ndërmarrje.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujor tjetër edhe në këtë tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 740 ndërmarrje të regjistruara, Ferizaji me 177 ndërmarrje, i cili në këtë tremujor e kaloi edhe Prizrenin me dy ndërmarrje më shumë, e që në muajt paraprak Prizrenin zinte vendin e dytë me 211 ndërmarrje, kurse tani Prizreni renditet i treti me 175, më pas Gjilani me 156 dhe Peja me 127 sosh, si dhe Mitrovica me 122 ndërmarrje.

Ndërsa komunat e tjera kanë rezultuar me një numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Ndërkaq, veprimtaritë ekonomike nga fusha e bujqësisë, xehtarisë e furnizimit me energji elektrike janë në numër shumë të ulët në Kosovë. Kështu në  fushën e  bujqësisë , pylltarisë dhe peshkatarisë, në  fushën e xehetarisë dhe gurëthyesve nuk ka të  regjistruar asnjë  ndërmarrje ndërsa në  sektorin e  furnizimit me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar janë  vetëm 9 ndërmarrje të regjistruara.

Gjatë këtij viti, gjithashtu ka pasur edhe disa shuarje të ndërmarrjeve e veprimtarive të ndryshme nga tregu. Sipas statistikave të Agjencisë, vetëm prej këtij fillimviti në  vendin tonë  janë shuar gjithsej 1278 ndërmarrje ekonomike, 390 vetëm në këtë tremujor të fundit dhe 888 të tjera brenda tremujorëve paraprak. /Buletini Ekonomik/