Resurset publike dhe administrata shtetërore janë vënë në shërbim të partive politike për përfitime elektorale. Fushata për zgjedhjet e 6 tetorit ka aktivizuar edhe shërbyesit publikë, të cilët janë të thirrur të punojnë për llogari të shtetit.
Ata janë në parë në terren bashkë me kandidatët për deputetë, të cilët shpërndajnë premtime në këmbim të votës, shkruan sot “Koha Ditore”. Mbështetur edhe në monitorimin e organizatave të shoqërisë civile, shfrytëzimi i resurseve publike dhe prania e shërbyesve civilë në aktivitetet e organizuara prej partive ka shënuar rritje nga dita e parë e fushatës zgjedhore.
Valmir Ismaili nga Demokraci Plus (D+) thotë se shkeljet që mund të vërehen lehtë, vazhdojnë të mbesin pjesëmarrja e stafit civil në tubime zgjedhore, si dhe në përgjithësi abuzimi me resurse publike.
“Një trend më i madh që është vërejtur kësaj here, është hapja e vendeve të punës dhe i thirrjeve për grante pikërisht në kohë fushate. Përderisa kjo do të ishte ndoshta diçka e zakonshme në një vend me demokraci të zhvilluar, duke ditur që në Kosovë administrata publike është krejt e politizuar, atëherë kjo paraqet shqetësim”, ka thënë Ismaili për “Kohën Ditore”. Ai ka shtuar se, megjithatë, kjo e konkurseve dhe e granteve mbetet minore, duke e parë që partitë politike po shpenzojnë jashtëzakonisht shumë dhe këto shpenzime nuk po raportohen.