Shoqata për Dëmet e Luftës: Dëmi material e njerëzor, deri në 4 milionë euro

Shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, selia e së cilës është në Skenderaj, ka dorëzuar deri më tani 1100 dosje ose kërkesëpadi për kompensim dëmi, por të gjitha paditë janë hedhur poshtë. Bejta: Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në cilësinë e gardianit të drejtësisë, ka për obligim të veprojë në raport me qytetarin e dëmtuar, me Kushtetutën dhe me Konventën për Liri dhe të Drejta të Njeriut, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Skenderaj. Shoqata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, selia e të cilës është në Skenderaj, ka vazhduar të hartojë dosje dhe kërkesëpadi për kompensimin e dëmeve të luftës kundër shtetit të Serbisë. Ato u dorëzohen gjykatave themelore në gjithë Kosovën, të cilat apriori i refuzojnë duke u thirrur në jokompetencë. Deri më tani, sipas drejtorit ekzekutiv të shoqatës Jahir Bejtës, në gjykatat e Kosovës janë dorëzuar mbi 1100 kërkesëpadi, por të gjitha ato janë refuzuar.

Kërkesëpaditë hidhen poshtë për “jokompetencë”

Reklama e sponzorizuar

“Për herë të gjashtë shoqata për dëmet e luftës ‘Ngritja e Zërit’ ka dorëzuar në Kushtetuese dosjet e radhës për kompensimin e dëmeve të luftës, përkatësisht kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, me qëllim që Gjykata Kushtetuesja ta korrigjojë lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme, që nuk e ka njohur procedurën e revizionit. E kemi shpresën që Gjykata Kushtetuese në cilësinë e gardianit tani ta korrigjojë lëshimin që e ka bërë Gjykata Supreme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është negativ, i Supremes negativ, nuk e lejojnë procedurën e revizionit, ne kemi kërkuar procedurën e revizionit për t’u hyrë lëndëve dhe ta shqyrtojmë ligjshmërinë e nxjerrjes së tyre dhe të konstatojmë se a janë në përputhshmëri ose jo. Në të gjitha deri më tani janë negative edhe kjo nuk do të thotë që i refuzojnë, por e kanë një shprehje ‘papranueshmëri’”, i tha “Zërit” Jahir Bejta, drejtor i shoqatës për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, të enjten, i cili në vijim ka sqaruar se kërkesat për kompensim të dëmeve bëhen për shtetin e Serbisë dhe vlera e demit njerëzor dhe material shkon deri në 4 milionë euro.