Organizatat e shoqërisë civile kanë reagur në lidhje me procesin e përzgjedhjes së noterve të rinj.
Këto organizata kërkojnë nga ministri në largim Abelard Tahiri që mos ta bëjë emërimin e asnjë noteri të ri.
“Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka rezultuar në një listë të përbërë nga familjarë dhe njerëz të ndërlidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës është vetë ministri në largim Tahiri, si dhe të partive tjera politike nga i gjithë spektri politik. Lista po ashtu përmban persona të ndërlidhur ngushtë me disa nga anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit për Noterinë, duke nxitur edhe më shumë dyshime rreth konfliktit të interesit në mes të anëtarëve të komisionit dhe kandidatëve për noterë dhe mundësisë së rrjedhjes së informatave për të favorizuar disa kandidatë”, thuhet në reagim.
Organizatat nga shoqëria civilekanë deklaruar se i besojnë raportimeve në media që disa nga kandidatët nuk i kanë plotësuar as kushtet formale për t’iu nënshtruar provimit të noterisë.
“Zgjedhja e noterëve pa meritë rrezikon jo vetëm sistemin administrativ dhe gjyqësor në Kosovë por edhe atë të vendeve të Bashkimit Europian, në të cilat vende diaspora jonë përdorë dokumentet e noterizuara në Kosovë”, thuhet në reagim.
Sipas këtyre organizatave ministri në largim Tahiri nuk ka legjitimitet që të marrë vendim kaq të rëndësishëm me pasoja afatgjate në ditët e fundit të mandatit të tij.
“Për arsyet e lartëpërmendura kërkojmë që ministri në largim Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noter nga lista aktuale e kandidatëve për noterë; Ministri i ri i drejtësisë urgjentisht të fillojë rishikimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve; Policia dhe prokuroria të fillojë hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj; Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, shtetet e Quintit dhe komuniteti ndërkombëtar të reagojnë dhe të monitorojnë procesin e përzgjedhjes së noterëve për shkak të pasojave në vetë shtetet e tyre”, thuhet në reagim
Sipas këtyre organizatave noterët e përzgjedhur në këtë procedurë do të njihen si ‘noterët e PDK-së’ dhe asnjëherë nuk do të gëzojnë statusin e të qenit të pavarur dhe të paanshëm.
Organizatat e shoqërisë civile që kanë bërë këtë reagim janë: ÇOHU!, Columbus, Demokraci për Zhvillim (D4D),Demokracia Plus (D+),Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF),Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI),Instituti EPIK, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL.