Rreth 8.8 milionë euro nga buxheti i Kosovës kanë shkuar për mbushjen e veturave zyrtare me karburantë vetëm gjatë vitit 2018, përcjell Buletini Ekonomik.
Të drejtë shfrytëzimi për veturat shtetërore për qëllime zyrtare brenda 24 orëve, sipas udhëzimit administrativ të Qeverisë së Kosovës kanë Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit dhe shefi i kabinetit të kryeministrit.
Ndërsa nëpunësve të caktuar mund t’u lejohet përdorimi i automjeteve zyrtare edhe jashtë orarit zyrtar të punës por vetëm me vendim të ministrave.
Sipas Raportit Financiar të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018 nga buxheti i Kosovës janë derdhur gjithsej 8.8 milionë euro për karburante për vetura për të gjitha institucionet publike, që krahasuar me vitin 2017, këto shpenzime janë rritur për 70 mijë euro (rreth 1%) në vitin 2018.
E sipas GAP-it, kjo nënkategori përfshin 4 për qind të shpenzimeve të bëra nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Në këtë rast, nëse e marrim një mesatare prej 1.13 eurosh për litër të karburanteve, i bie që stafi politik dhe publik i qeverisë i kanë shpenzuar rreth 7.8 milionë litra karburante.
Kërkesës së Institutit GAP, për qasje në dokumente publike i janë përgjigjur vetëm 13 ministri, ndërsa Zyra e Kryeministrit dhe tetë ministri tjera nuk kanë ofruar qasje në to.
Ndër ministritë që nuk kanë respektuar Ligjin për qasje në dokumente publike janë: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Infrastukturës dhe Transportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministia e Integrimit Evropian dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Srategjike.
Ndërkaq, nga ministritë që janë përgjigjur, në formë të të dhënave vjetore të individualizuara përgjigje kanë ofruar dhjetë ministri, ndërsa ministritë tjera, si: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim, të dhënat për shpenzimet i kanë identifikuar me targa të veturave. Kurse, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ofruar shpenzime totale të ministrisë për muaj.
Nga të dhënat e mbledhura nga GAP-i, del se brenda vitit 2018, 13 ministri kanë shpenzuar rreth 218 mijë euro për karburante për vetura.
E më së shumti shpenzime për karburante për veturat e saja ka bërë Ministria për Komunitete dhe Kthim me mbi 28 mijë euro, menjëherë pas saj radhitet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 4,367 euro më pak, dhe duke vazhduar më pas me ministrinë e Kulturës e cila ka shpenzuar gjithsej 23 mijë e 333 euro për karburante.
E prej ministrave, për vitin 2018, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka shpenzuar më së shumti në karburante për vetura me një total prej rreth gjashtë mijë eurosh.
Pas tij radhiten, Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri me 5 mijë e 663 euro, Ministri i Mbrojtjes me 4 mijë e 990 euro dhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili me 4 mijë e 197 euro, duke pasuar më pas me Kujtim Gashin dhe Besim Beqajn.
Gjithashtu, një detaj që ia vlen të përmendet është edhe ai se Ministria e Punëve të Brendshme në vitin 2018 ka pasur tre minista, Flamur Sefaj (janar-mars), Bejtush Gashi (prill-shtator) dhe Ekrem Mustafa (tetor-dhjetor), e të cilët së bashku në total kanë shpenzuar 3 mijë e 200 euro.
Ndërkaq prej zëvendësministrave, shpenzime më së shumti kishin bërë Ali Berisha me një vlerë prej 4 mijë e 478 eurove, zëndësministri i dytë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Fatmir Gashi.
Nga të dhënat e mbledhura, del se shpenzimet për karburantë të veturave për 11 ministri kanë qenë më të lartat në muajin tetor, prej rreth 18 mijë eurove. /Buletini Ekonomik/