Kosova ka shënuar rritje ekonomike rreth 4%.
Kjo është konstatuar në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore, raporton KTV.
E, një rritje e tillë ekonomike krijoi edhe vende të reja të punës, ka thënë ekonomistja Asli Senkal. Mirëpo, më tutje, ajo tha se Kosova ende mbetet vendi me papunësinë më të lartë.
“Në pjesën e parë të vitit 2019, shkalla e papunësisë ka rënë, e shkalla e punësimit është rritur, pasi më shumë njerëz fituan vende të punës krahasuar me vitin e kaluar. Mirëpo, pati edhe rritje në pasivitet, pasi më pak njerëz kanë kërkuar punë”, ka thënë Asli Senkal, ekonomiste.
Sipas saj, edhe konsumi do të ketë rritje prej 1.6 për qind.
Sipas Senkalit, ndikim të madh në deficitin fiskal do të ketë edhe ligji i ri për pagat që do të zbatohet në fund të vitit.
Ndërkaq, një gjë e tillë e ka përcjellë të gjithë Ballkanin Perëndimor, thotë Marko Montavanelli, shef i zyrës i Bankës Botërore në Kosovë.
“Rritja ekonomike në regjion, në veçanti ajo e vitit 2018, ka prodhuar vende të reja të punës .Në Kosovë ka progres, por jo mjaftueshëm kur e sheh që 60% e popullsisë këtu është joaktive, që do të thotë se nuk punojnë ose nuk kërkojnë punë”, ka thënë Marko Montavanelli, shef i zyrës i Bankës Botërore në Kosovë.
Mes të tjerash, ai thotë që në këtë kohë duhet të ketë kujdes të shtuar në shpenzimet.
“Duhet të jeni të kujdesshëm me deficitin fiskal në kohën kur ka rritje të tilla si tani, është e rëndësishme të krijohet baza e shpenzimeve që duhet të bëhet në rast të një ngadalësimi ekonomik në botë”, ka thënë më tej Montavanelli.
Bazuar në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore, Kosova pritet të ketë një rritje prej 4.2 për qind në ekonomi që nga viti 2020.