Takohen Kurti e Osmani, bisedojnë për bashkëqeverisje

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurti, është takuar sot me kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani. Sipas një njoftimi nga lideri i VV-së, në takim është biseduar për përgatitjen për qeverisjen e re.

“Bashkë me Vjosën biseduam sot për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që na presin. Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë. Bashkëpunimi ynë është përkushtimi ynë. Qëllimet e mira dhe punët e mbara janë përgjegjësi e jona ndaj qytetarëve të Republikës dhe institucioneve të shtetit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti dhe partia e tij morën më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, sipas rezultateve të deritashme. LDK-ja e Osmanit doli e dyta. Së bashku, dy partitë kanë marrë më shumë se 50 për qind të votave.

Reklama e sponzorizuar