Ende pa u bërë një vit që nga hyrja në fuqi e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje, duke varfëruar shportën e konsumatorit.
Për produktet bazike siç janë qumështi, djathi, vezët, sheqeri, pemët dhe perimet konsumatorët kanë paguar për rreth 2.4 për qind më shumë krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.
Siç thonë njohës të çështjeve ekonomike, si pasojë e tarifës është ulur standardi i jetesës së popullatës, ndërsa prodhuesit vendorë nuk kanë arritur që të mbulojnë hendekun e mungesës së mallrave të tjera.
Dhe, derisa Qeveria në largim e konsideron se taksa ka prodhuar efekte pozitive, raportet ndërkombëtare vlerësojnë ndikimin negativ në çmime të saj.
Në anën tjetër, dy partitë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar se me formimin e Qeverisë së re taksa do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se gjatë korrikut ka pasur rritje të inflacionit që ka arritur në 3.1 për qind.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave (ASK) për muajin shtator, çmimet e konsumit kanë pasur rritje tek perimet për 0.6 për qind, kafja, çaji dhe kakao për 1.4 për qind, veshjet 0.9 për qind, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera për 1.2 për qind, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës për 1.4 për qind.