Policia e Shtetit në Shqipëri ka zhvilluar fushatë të gjërë ndërgjegjësimi për parandalimin e abuzimit me të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen, si dhe po zbaton një sërë masash shtesë për parandalimin e azilkërkimit.
Megjithatë, numri i personave që kanë thyer rregullat e lëvizjes pa viza në zonën Schengen është relativisht i madh, shkruan “Koha Ditore”. Të mërkurën, në një konferencë për media në Tiranë, Policia e shtetit ka bërë një bilanc të shqiptarëve të ndalur për të hyrë në zonën Schengen gjatë 9 muajve të parë të vitit.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj, ka treguar se si gjatë periudhës janar-shtator u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10.684 shtetasve shqiptarë, mes tyre 735 të mitur.
“Gjatë periudhës janar – shtator, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10.684 shtetasve shqiptarë ose 30% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndër të cilët 735 shtetas të mitur që nuk kanë plotësuar kriteret për të udhëtuar jashtë vendit”, ka thënë Merkaj.