Vetëvendosje synon krijim e Gjykatës së Punës

Shkeljet e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat në Kosovë janë ende shumë evidente. Punëtorët e sektorit privat, në fusha të ndryshme, përballen edhe me rreziqe të ndryshme në vendin e tyre të punës.

Për këtë Lëvizja Vetëvendosje në programin e tij qeverisës, ka përfshirë edhe krijimin e Gjykatës së Punës.

“Ne gjithashtu zotohemi se do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës për të parandaluar rreziqet e lëndimet në punë, ndërsa duke themeluar Gjykatën e Punës sigurohemi për trajtim me prioritet të kontesteve punëdhënës-punëmarrës. Mbrojtja e të punësuarit do të shtrihet edhe tek të rinjtë që punësohen për herë të parë, duke ua njohur edhe formalisht punën praktike. Me ligj të ri, Qeveria jonë do të fuqizojë bashkëpunimin me sindikatat duke inkurajuar dhe ndihmuar punëtorët për organizim sindikal në të gjitha nivelet e punësimit”, thuhet në programin e VV-së.

Reklama e sponzorizuar

VV-ja në program ka përfshirë edhe plotësimin e kushteve të dinjitetshme të punës,  masa që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë pune të rregullta në javë. Këtë VV synon ta arrijë përmes hartimit të një ligji të ri të punës.

Kujtojmë se gjatë këtij viti në vendin e punës kanë humbur jetën nëntë punëtorë.