Zyrtarja e lartë e Ministrisë së Kulturës në konflikt interesi

Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)

Agjencia kundër korrupsionit këto ditë ka nxjerrë në pah një vendim se zyrtarja e lartë në Ministrinë e Kulturës, Jehona Shyti, e cila njëkohësisht mban pozitën si Drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, në kuadër të ministrisë së Kulturës është në konflikt interesi, pasi e njëjta kishte ushtruar funksion publik edhe më herët.

Jehona Shyti, tani me pozitën si Drejtoreshë e Kulturës, para se të vinte në këtë post, kishte ushtruar edhe një funksion tjetër publik si Shefe e Kabinetit dhe si Këshilltare e ministrit të Kulturës, situatë kjo që automatikisht bie ndesh edhe me dispozitat e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Shyti kishte ushtruar funksionin e Këshilltares së ministrit Kujtim Gashi nga 22 shtatori i vitit 2017, pra vetëm 14 ditë pas emërimit të ministrit të Kulturës deri më 10 maj të 2018-tës kur edhe kishte dhënë dorëheqje, dhe gjithashtu e njëjta po gjatë mandatit të ministrit Gashi ishte përzgjedhur dhe emëruar edhe si Drejtoreshë e Departamentit të Kulturës më datë 19 tetor po të vitit 2018, përcjellë Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, përkatësisht neni 18 përcakton edhe kufizimet kohore ndërmjet emërimeve të tilla të zyrtarëve, që së paku për një periudhë dy vjeçare zyrtari nuk ka të drejtë të marrë një post tjetër publik brenda institucionit të njëjtë.

Në pikën dy, të vendimit të Agjencisë kundër Korrupsionit thuhet se agjencia në fjalë do të kërkojë edhe fillimin e procedurave për shkarkimin e saj nga Institucioni ku zyrtarja e lartë e ushtron funksionin, që në këtë rast është vet Ministria e Kulturës.

“Agjencia do të kërkojë fillimin e procedurës për kundërvajtje nga Gjykata kompetente”, thuhet më tutje edhe në pikën tre të këtij vendimi nga Kundërkorrupsioni.

Siç mëson Buletini Ekonomik, Zyrtarët e Kundërkorrupsionit e kishin njoftuar paraprakisht zyrtaren në fjalë lidhur me kufizimet e një zyrtari të lartë pas përfundimit të funksionit publik, por Shyti nuk ishte pajtuar me pretendimet e Agjencisë kundër Korrupsionit, duke thënë se nuk ka asnjë ndalesë apo kufizim me rastin e emërimit të saj në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Kulturës në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik tregon edhe kufizimet e një zyrtari të lartë publik pas përfundimit të detyrës publike, e i cili tregon shumë mirë se zyrtari i lartë publik nuk ka të drejtë të emërohet për një periudhë dy vjeçare pas përfundimit të funksionit publik, në pozita udhëheqëse dhe menaxhuese në institucionin ku edhe e ka ushtruar funksionin publik edhe më herët, nëse detyrat dhe përgjegjësitë e saj kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura më mbikqyrjen, kontrollin dhe sanksionimin e aktiviteteve të institucionit, pra Ministrisë së Kulturës.

Tutje, Kundërkorrupsioni thekson se punësimi i zyrtarëve të lartë publik në pozita drejtuese dhe menaxhuese në institucionet, në të cilat ata kanë ushtruar detyra publike është identifikuar si dukuri ekzistuese edhe në institucionet e tjera publike në vendin tonë, dhe rasti si i Jehona Shytit sipas tyre përbën një rrezik të shndërrimit në fenomen, e i cili ndikon më pas edhe në humbjen e besimit të publikut në institucionet tona. /Buletini Ekonomik/