Tuneli i Llogarasë shkurton rrugën nga 55 në 10 minuta

Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri ka hapur tenderin ndërkombëtar prej pesë milionë eurosh për rishikimin e studimit të fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për Tunelin e Llogarasë. Ky projekt do të financohet me fondet e buxhetit të shtetit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në shpalljen e garës ndërkombëtare, ka thënë se tuneli dhe i gjithë ky korridor që po ndërtohet hap pas hapi, do të bëjë që shumë vizitorë, shumë turistë, në radhë të parë turistët nga Kosova, ta kenë më të lehtë qasjen në pjesën jugore të bregdetit. Rama ka shtuar se ky projekt do të përmirësojë imazhin e Shqipërisë, një zonë ku interesi është i gjithanshëm, zonë me histori e trashëgimi kulturore.

“E them me shumë krenari që ne sot jemi gati të materializojmë projektin e tunelit të Llogarasë, i cili do të krijojë një akses krejt tjetër drejt zonës. Natyrisht, do të shërbejë si një katalizator shumë i fuqishëm i zhvillimit të turizmit në të gjithë rivierën joniane. E kemi parë dhe përjetuar shumë herë nga kontaktet tona me investitorët e huaj, shumë të interesuar për të investuar në turizëm, sidomos pasi ne krijuam një paketë ligjore agresive, pikërisht për të tërhequr investitorët e huaj – kyçi mbetet Llogaraja, për shkak se distanca zgjatet dhe jo vetëm zgjatet si kohë, por zgjatet dhe si vështirësi, në segmentin që e njohim të gjithë që gjarpëron për të kapërcyer malet e Llogarasë”, ka deklaruar Edi Rama.

Reklama e sponzorizuar

Shefi i qeverisë shqiptare ka nënvizuar se Tuneli i Llogarasë është pjesë e vizionit strategjik zhvillimi dhe një zinxhiri projektesh që janë ndërtuar.

“Që nga Aeroporti i Vlorës, që është qendra e gravitetit të këtij vizioni strategjik, tek zhvillimi i vijës bregdetare të qytetit të Vlorës që sot po shtrihet në një segment të dytë e së shpejti fillon një segment të tretë, që kapërcen atë pikën ndarëse mes qytetit siç e njohim dhe pjesës tjetër, duke shkuar deri në Rradhimë…”, theksoi Rama.