Ikja e mjekëve nga Kosova, kushtet jo të mira në të cilat ata punojnë e mungesa e edukimit të vazhdueshëm janë disa nga problemet me të cilat po ballafaqohet shëndetësia vit pas viti, shkruan sot gazeta Zëri.
Me ardhjen e ministrit të ri edhe Oda e Mjekëve të Kosovës do t’i parashtrojë kërkesat e saj. Kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se para ministrit të ri do të shtrojnë çështjen e papunësisë së mjekëve e të rregullimit të statusit të tyre. Sipas tij, kërkesat e Odës së Mjekëve janë të lehta dhe mund të realizohen shpejt. “Sa i përket Odës, të gjitha kërkesat që janë bazuar në ligjin i cili është në fuqi, 90 për qind janë realizuar. E vetmja kompetencë që ka mbetur të bartet ka qenë specializimet. Çështja e parë që do të kërkohet nga ministri i ardhshëm do të jetë vazhdimi i implementimit të Ligjit për Bartje të Kompetencave. Ashtu si ministri i kaluar, edhe ai i ardhshëm do t’i propozojmë idetë tona sa i përket papunësisë së mjekëve, rregullimit të statusit të tyre e një mori çështjesh”, ka theksuar ai.
Sa i përket fenomenit të ikjes së mjekëve nga Kosova, Sejdiu ka thënë se as qeveria “Kurti” nuk mund ta ndalë fluksin e ikjes. “Fluksi nuk mund të ndalet prej asnjë Qeverie. Nuk kam dëgjuar premtime nga askush. Fluksi nuk mund të ndalet, sepse nuk është ndalur në asnjë shtet. Edhe shtetet që kanë një standard më të mirë të jetesës, siç është Sllovenia e Kroacia, edhe ato nuk kanë mundur ta ndalin largimin e mjekëve”, ka shtuar ai.