Asnjë aktakuzë e ngritur për korrupsion të profilit të lartë gjatë këtij viti

Nga janari i këtij viti e deri në fund të muajit shtator Prokuroria Speciale nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive. Kështu u tha në tryezën “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”, e cila nën organizimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) u mbajt gjatë ditës së djeshme.

Në këtë tryezë, e cila u mundësua me përkrahjen e Departamentit të Shtetit amerikan dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it u konstatua se pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme po vazhdon të mbetet tabu në Republikën e Kosovës si rezultat i mungesës së kontrollit gjyqësor, shkruan sot gazeta Zëri.

Teksa prezantoi të gjeturat e raportit “Dështimet speciale në luftimin e korrupsionit” hulumtuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se përveçqë gjatë këtij viti nuk pati aktakuza ndaj profilit të lartë, prokurorët në Prokurorinë Speciale nuk janë të profilizuar. “Kjo Prokurori nga 1 janari 2019 e deri më 30 shtator 2019 nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive. Karakteristika tjetër e PSRK-së ndërlidhet me faktin se prokurorët në këtë prokurori nuk janë të profilizuar dhe të specializuar në fusha të veçanta”, u shpreh ajo.

Reklama e sponzorizuar

Më tutje Rezniqi pohoi se, duke e krahasuar me vitet e tjera, 2019-a ka shënuar rritje sa i përket numrit të dënimeve me burgim efektiv të shqiptuar nga gjykatat. “Edhe gjatë kësaj periudhe raportuese numri më i madh i dënimeve të shqiptuara nga gjykatat janë dënime me kusht dhe me gjobë, të pasuara nga dënimet me burgim. Sidoqoftë, viti 2019, në krahasim me vitet paraprake, për herë të parë ka shënuar ngritje të numrit të dënimeve me burgim efektiv të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës”, u shpreh ajo.