Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%, ka nisur të zbatohet që nga dita e djeshme prej kompanive të sigurimeve.
Përpos qytetarëve të cilët kanë paralajmëruar protesta këtyre ditëve, kundër këtij vendimi për rritjen e çmimit të sigurimeve ka dalë edhe Autoriteti i Konkurrencës, përcjell Buletini Ekonomik.
Valon Prestreshi, Kryetar i Autoritetit të Konkurrencës në një intervistë për RTK-në ka thënë se Autoriteti që ai drejton, në shtator të këtij viti ka lëshuar një mendim profesional sipas kërkesës së BQK-së, në të cilën sipas tij është thënë se rritja e unifikuar e çmimit të sigurimeve është kundër Ligjit për konkurrencën.
Madje, ai ka thënë se lajmin për rritjen e çmimit të sigurimit të detyrueshëm nga Bordi i BQK-së e kanë marrë vetëm nga mediat.
Po ashtu ai ka cekur edhe njoftimin që ia kanë bërë BQK-së se Autoriteti vet ka marrë edhe shqetësime dhe reagime nga palët e interesuara me pretendimin për shkelje të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
“Duke u bazuar në këtë ligj i kemi kërkuar BQK-së të na ofrojë vendimet, analizat, dokumentet përkatëse dhe komentet e kërkuara për konstatimin e të gjitha fakteve relevante”, vazhdon tutje deklarata e Prestreshit. /Buletini Ekonomik/









