38 operatorë në fushën e minierave e mineraleve veprojnë ilegalisht

Operuesit ilegalë për nxjerrje të minierave e mineraleve, vazhdojnë t’i sfidojnë institucionet e vendit.

Vetëm gjatë këtij viti janë identifikuar 38 operatorë ilegalë nga Komisioni për Miniera dhe Minerale, përderisa gjatë vitit paraprak kanë qenë 94 sosh.

Ky institucion, këtë vit, ka ngritur 15 kallëzime penale ndaj këtyre operatorëve.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarë të institucioneve që janë pjesë e fushatës për mbrojtje të mjedisit, e pranojnë që gjendja mjedisore në vend nuk është aspak e mirë, por shpresojnë se duke bashkëpunuar do të arrijnë që ta ndalin degradimin e mjedisit.

Andaj, Komisioni për Miniera dhe Minerale, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Pyjeve dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka hartuar një udhëzues për administrimin e aktiviteteve minerare dhe atyre mjedisore.

Megjithatë, ambientalistët thonë se është shqetësues numri kaq i madh i gurëthyesve, shumica e të cilëve, sipas tyre, operojnë ilegalisht.

Zeqir Veselaj thotë se Kosova ka ligje shumë të mira, por duhet dikush t’i vërë në praktikë.

Vetëm në vitin 2019, KPMM-ja ka dorëzuar 32 vendime për gjoba e në përmbarim, për rastet që janë të përfunduara.