Institucioni më i lartë i sigurisë në vend, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë prej dje ka mbetur pa drejtuesin e saj.
Kjo pasi, shefi i deritashëm i këtij institucioni, Shpend Maxhuni, dha dorëheqje duke e lënë në gjysmë mandatin e tij 5-vjeçar.
Ai ia paraqiti kryeministrit në largim aktin e dorëheqjes pas mbi një vit e gjysmë të emërimit në këtë detyrë ndërsa arsyet nuk janë bërë të ditura nga Shpend Maxhuni, i cili prej dje ka qenë i paqasshëm në telefon.
Por, cilat janë procedurat legjislative që duhet të ndiqen në rastet kur pozita e kryespiunit të Kosovës mbetet vakante?
Sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në rastet si kjo e fundit, pozita e drejtorit të AKI-së duhet të plotësohet brenda 20 ditësh. Shefi i AKI-së ndonëse sipas ligjit i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit të Republikës së Kosovës, ai nuk mund ta emërojë vetë drejtuesin e këtij institucioni pa pëlqimin e presidentit.
“Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”, thuhet në Ligjin për AKI-në, shkruan Gazeta Sinjali.
Ligji, po ashtu, specifikon se drejtori i AKI-së emërohet për një mandat pesë (5) vjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe një herë.
Në ligj nuk specifikohet nëse deri në zgjedhjet e drejtorit të ri kush mund të ushtrojë detyrën e shefit të AKI-së por theksohet se në kryerjen e përgjegjësive të veta drejtori i AKI-së ndihmohet nga një zëvendësdrejtor, udhëheqësit e njësive organizative, këshilltarët dhe personeli me kualifikim të duhur sipas nevojës, në pajtueshmëri me rregullat dhe procedurat e parashtruara me këtë Ligj dhe Rregulloren e Organizimit të Brendshëm.
Mbetet e paqartë nëse, shefi i ri i AKI-së do të emërohet nga kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me presidentin Hashim Thaçi, kur dihet se ky person do t’i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit të ardhshëm, e që sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, pritet të jetë Albin Kurti.
Ky i fundit sa ishte në opozitë kishte kritikuar ashpër Shpend Maxhunin, si njeri të Hashim Thaçit duke e bërë përgjegjës për një mori skandalesh që ka ndodhur në fushën e sigurisë. Kjo mbase mund të jetë edhe njëra prej arsyeve kryesore që Shpend Maxhuni nuk e priti fare formimin e qeverisë së re duke dhënë dorëheqje nga pozita e tij.